Kalaja e Elbasanit, aty ku turistët vijnë për të parë rrënojat e antikitetit

schedule15:54 - 21 Korrik, 2018

schedule 15:54 - 21 Korrik, 2018

Megjithëse në Elbasan nuk ka ndonje investim të dukshëm për të joshur turistët, kalaja me historinë e saj tërheq përherë e më shumë turistë të huaj. Por në këtë qark ka shumë vende atraktive për pushues e vizitorë.

Dy mijë vjet më parë u hodhën themelet e saj. Fillimisht ishte një fortesë për 1500 legjionarë romakë, por më vonë nisi të popullohej brenda. U bë embrioni i qytetit që u pagëzua me emrin Skampa.  Shekujt kaluan dhe qyteti u shtri jashtë mureve të kalasë.

Historia në lagjen “Kala”në Elbasan nis me ilirët dhe Romën e lashtë, vazhdon me Bizantin, perandorinë osmane dhe deri në ditët e sotme. Aty ekziston një konceptim historik, kulturor, shoqëror dhe fetar që nuk e gjen në vend tjetër. Kjo edhe për shkak të rrugës Egnatia që kalon në mes të saj.

“Turistët vlerësojnë historinë, kulturën, por veçanërisht bashkëjetesën fetare në këtë lagje”.

Është shpallur “Monument Kulture”, aty nuk lejohen pallate shumëkatëshe, ndërhyrje që prishin fizionominë dhe arkitekturën e banesave. Në vetëm pak metra larg njëra-tjetrës ndodhen kisha dhe xhamia. Turistët francezë duken të befasuar.

“Muret e kalasë, xhamia, kisha… kaq pranë të gjitha. Këto na kanë tërhequr shumë”.

“Jam shumë i kënaqur që jam në Shqipëri dhe besoj se do të ketë më shumë turistë që do të vizitojnë Shqipërinë”.

Por për drejtorin e Zhvillimit të Turizmit në bashkinë e Elbasanit është bërë punë dhe investime që lagja të jetë sa më atraktive.

“Ne duhet të kemi një bashkëpunim më të madh me agjencitë turistike që këta turistë që vijnë të mos jenë ditorë, por të harxhojnë një kohë më të madhe në Elbasan”, tha Erion Ibërshimi.

Përveç kalasë në qarkun e Elbasanit është Parku Shebenik-Jabllanicë. Shpellat dhe ujëvarat në Gramsh. Vija Egnatia që nis nga Peqini e përfundon në Prrenjas, Kishat e Onufrit në Shpat, etj. Jo pak për një turist më shumë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!