Kakofoni me shifra, Zguri: Të dhënat janë marrë me telefon

schedule13:27 - 1 Korrik, 2019

schedule 13:27 - 1 Korrik, 2019

Për parregullsitë e konstatuara mes numrit të zgjedhësve dhe atyre të votuesve ka reaguar kryetari i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve Klement Zguri. Sipas Zgurit rezultatet nuk janë përfundimtare dhe ato janë marrë përmes telefonit. Kryetari I KQZ kërkoi hetim administrativ për rastet dhe nxjerrën e të vërtetës në pah.

“Gjatë ditës së sotme është krijuar një lloj kakofonie në raport me shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje. Ka shumë raportime në media që bëhet fjalë për shifra kontradiktore dhe jologjike. Për opinion publik dhe për median duhet të shpjegojmë disa të vërteta procedurale pa shtuar kakofoninë e shifrave por me qëllimin që njerëzit t’i kuptojnë me mirë ato.

Të dhënat për pjesëmarrje në zgjedhje që janë transmetuar nga KQZ ditën e dielë janë të dhëna jo zyrtare dhe produkt i komunikimit me telefon nga administrata zgjedhore të marra nga komisionerët e qendrave të votimit dhe të KZAZ-ve çka sjell pasiguri për shifrat e raportuara. Në zgjedhjet e kaluara raportimi është bërë nga qendrat e votimit në sistemin elektronik dhe të dhënat nuk janë transmetuar me telefon sikur ndodhi këtë vit. Kjo gjë rrit pasigurinë lidhur me shifrat e transmetuara përmes raportimeve telefonike të komisionerëve të të gjitha niveleve me KQZ.

Të dhënat zyrtare janë të dhëna që fiksohen në tabelat përmbledhëse të çdo KZAZ. Tabelat përmbledhëse duhet të mbajnë numrin e saktë të pjesëmarrëseve në votim. Sipas listave të zgjedhjeve dhe numrin e saktë të listave të përdorura të fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme si dhe numrin e votave për çdo kandidat apo parti politike. Si rregull këto shifra duhet të korrespondojnë. 

Në rast se të dhënat në shifrat e tabelave përmbledhëse janë kontradiktore atëherë kjo mund të jetë tregues paaftësie në dokumentim ose tregues parregullsie. Se çfarë ka ndodhur në rastin konkret kjo do të zbulohet vetëm nga një proces hetimi administrativ. Ligjërisht KQZ ka dy mundësi për verifikim, mundësia e parë është gjatë plotësimit të tabelave të rezultatit përfundimtar. Gjatë këtij plotësimi KQZ zbulon dhe korrigjon gabimet. Rruga e dytë ajo e shqyrtimi i ankimimeve zgjedhore kundër rezultatit. Për këtë, duhet që subjektet zgjedhore të depozitojnë ankime.

Domosdoshmërish kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore, që vënë në lëvizje KQZ. Ka rëndësi vënia në lëvizje e procedurës, nëse duam të kuptojmë të vërtetën e këtyre shifrave. Saktësia e tyre është vendimtare për cilësinë e procesit të 30 qershorit, ndaj KQZ duhet t’i trajtojë me seriozitet. Ftoj publikisht kolegët e mi në KQZ që ti ndjekin nga afër raportimet mediatike dhe të bëjnë gjithçka kanë në dorë që të sjellë qartësi të plotë për këtë problematikë”. tha Zguri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!