Fatbardh Kadilli anëtari i kryesisë së PD që ka shpallur kandidaturën për kryetar partie duke kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës, ka deklaruar në një konferencë me gazetarët se kreu i PD duhet t’i japë vlerë votës. Ai thotë se nëse vota zgjedh mes Lulzim Bashës dhe një thesi me miell, ky është problemi i Lulzim Bashës.
Pyetur nga gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj se ku ka qenë kontributi i tij në këto zgjedhje, Kadilli theksoi se kanë qenë katër qarqe ku ai ka bashkëpunuar me Bashën dhe rezultati ka qenë i shkëlqyer, por nuk dha emra. Kadilli deklaroi se nisma e tij nuk ka të bëjë me një frymë grupi kundër një grupi tjetër brenda PD por një projekt i ri kundër një projekti të dështuar.
“Lulzim Basha ka detyrën e parë që të mos ia vjedhin. Ai duhet t’i japë vlerë votës që askush të mos e shesë votën. Nëse vota zgjedh me Lulzim Bashës dhe një thesi me miell, ky është problemi i Lulzim Bashës. Zgjedhjet në PD kanë një afat statutor.
Afati limit është data 22 e këtij viti. Kam plotësuar çdo lloj detyre që më ka dhënë kryetari i partisë. Janë të paktën 4 qarqe ku rezultati është shumë i mirë. Atje ku kam pasur një rol. Janë katër qarqe ku rezultati është i shkëlqyer. Nuk po i nxjerr.
Unë nuk i kam hyrë kësaj rruge si një grup kundër një grupi por si një projekt kundër një projekt. Një projekt i dështuar kundër një projekti të ri. Përgjegjësia nuk mund të barazohet nga kryetari i partisë te anëtari i kryesisë. Ka një hierarki përgjegjësie. Unë nuk jam në konflikt funksioni”, deklaroi Kadilli./mv.abcnews.al