Anëtari në detyrë i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli i ftuar në “Log.” me gazetarin Endri Xhafo foli për Kuvendin Kombëtar në Partinë Demokratike.
Kadilli u shpreh se ka propozuar një parti më të madhe se kryetari, dhe se ishte ai personi i cili hapi garën brenda Partisë Demokratike duke i qëndruar deri në fund ideve të tij.
“Unë isha personi i cili hapa garën dhe i qëndrova deri në fund. Kur unë hapa garën u quajta si shërbëtor i Ramës”, tha Kadilli.
Lexo edhe: Marku në “Log.”: Në 8 vite kam qenë më opozitar ndaj Ramës se vetë PD-ja, pse i humbëm zgjedhjet
Sipas tij duhet realizuar një analizë profesionale për të kuptuar përse qytetarët arrijnë të shesin votën.
“Ne duhet të bëjmë një analizë profesionale. Duhet të kuptojmë përse shoqëria shqiptare sillet kështu përballë zgjedhjeve. Përse e shet votën dhe kush e shet votën. Ti flasim njeriut politikisht, ne sot jemi në ritme të ndryshme me qytetarin. Ne sot i flasim njeriut biologjik unë do të rris rrogën, do të jap para për votën”, tha Kadilli.
Nga ana tjetër anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Agim Baçi tha se politika e sotme nuk është e dëshiruar nga qytetarët shqiptarë.
“Kam bindjen që shumica e qytetarëve nuk e dëshiron këtë politikë, por ne na ka munguar që të jemi atje në kohën e duhur”, tha ai.
Gjatë bisedës në studio Kadilli gjithashtu ritheksoi se hapja e partisë synon parime më të shëndosha demokratike dhe fleksibileti e bën partinë më të hapur.
“Hapja e partisë synon që partia të ketë parime të shëndosha demokratike. Fleksibiliteti i strukturës e bën partinë të hapur, pra çdo njëri që ka bindje politike krijon forumin e vet politik. Kjo parti ka një problem është ende me idenë për të mundur të keqen. Loja duhet hapur, mua më intereson opsioni politik. Partia duhet të jetë më e hapur se vetvetja dhe më e madhe se kryetari”, tha më tej Kadilli./abcnews.al/