Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli i bëri thirrje Sali Berishës nga Kuvendi i tij në stadium “Air Albania” që të hapë krahun dhe të largohet, pasi e djathta ka nevojë për një lider të ri.
“Rregulli që kryetari që humbet zgjedhjet duhet të largohet duhet të fillojë të zbatohet me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Vetëm nëse Basha dhe Berisha përjashtohen ne do të kalojmë provën e seriozitetit.
Vetëm atëherë do të fillojë ndryshimi i vërtetë i PD-së. Nëse nuk e bëjmë do të jemi që nesër në një krizë të re. Nëse jemi këtu për të zëvendësuar Bashën me Berishën kemi mashtruar veten. Duhen udhëheqës të rinj. Ne kemi nevojë për një brez të ri politikanësh.
Të ndalojmë cdo kryetar humbës në krye të partisë. Të krijojmë një administratë profesionale me statut dhe mendësi të re. Të sjellim një ekip të ri në krye të partisë. I bëj një thirrje Berishës, ky është momenti për t’i hapur rrugë të resë. Rikthimi juaj në krye të PD mund të duket sikur zgjidh krizën sot, por vdes të ardhmen nesër” deklaroi ai.
Fjala e plotë
Të dashur demokratë:
Mbas 30 vjetësh histori, me shumë ulje dhe ngritje,
Partia jonë duhet të jetë partia e shqiptarëve që jetojnë në shekullin XXI.
Unë uroj që ky Kuvend të hyjë në historinë tonë
si Kuvendi kur Partia Demokratike filloi transformimin e thellë si parti moderne dhe e vërtetë perëndimore.
Por kam shumë frikë se ky Kuvend mund të jetë
një tjetër mundësi e humbur.
Ne kemi humbur shumë mundësi të tilla në vite.
Vetëm pak muaj më parë humbëm një mundësi të madhe për ndryshim.
Që më 26 prill,
të nesërmen e humbjes së pestë rrjesht,
Ne duhet të kishim treguar përunjësi dhe dinjitet në humbje,
Dhe të kishim filluar reflektimin për të ndryshuar.
Humbjet janë të rënda,
por në politikë humbjet janë gjithmonë edhe një mundësi për kthesë,
janë mundësi për një fillim të ri.
Prandaj që më 26 prill
unë kërkova dorëheqjen e Lulzim Bashës,
si hapi i parë për të nisur ndryshimin e domosdoshëm të PD-së.
Për t’i bërë presion Bashës të largohej,
Duke e konsideruar atë pengesë për çdo lloj ndryshimi në PD,
unë vendosa ta sfidoj duke kandiduar për kryetar.
E dija që nuk kisha mundësi të fitoja,
por kandidova për të arritur dy qëllime të rëndësishme:
1. Të nisja një debat të vërtetë për humbjen dhe gjendjen e PD-së pas humbjes, dhe
2. Të nxisja kurajën e të tjerëve për të folur dhe për të kërkuar ndryshimin
Për këtë, unë hartova dhe bëra publike një platformë për ndryshimin e thellë të PD-së.
Por beteja ime për të sfiduar kryetarin ishte një betejë e vetmuar.
Sepse në PD nuk donte kush garë.
Sepse në PD ishin të gjithë të shurdhët,
dhe memecë politikisht.
Unë, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj ndeshëm çdo pengesë, manipulim dhe presion që mund të imagjinohet.
Ne u bëmë ndoshta rasti i parë dhe i vetëm në botë që morëm pjesë në një garë, pa na dhënë listën e votuesve, madje pa na dhënë as numrin e votuesve.
Askush nga ju nuk u shqetësua për këto.
Unë jam pjesë e një familje që u persekutua nga regjimi komunist.
Që nga themelimi i PD-së kam jetuar me të çdo ditë të jetës sime.
Për shumë vite kam qenë në çdo betejë me ju.
Dhe asgjë nga këto nuk pati vlerë për ju sapo sfidova udhëheqësin.
Ju u bëtë të gjithë me Lulzim Bashën.
dhe me ndihmën tuaj Basha fitoi në një garë që nuk ishte garë.
Një garë pa standarde demokracie, ndershmërie dhe transparence.
Por unë nuk u largova edhe pse humba.
Prapë desha të punoj që PD të ndryshonte.
Prandaj i kërkova kryesisë së Partisë të diskutonte propozimet e platformës sime për ndryshimin.
I kërkova të sanksiononte:
1. Largimin pa asnjë përjashtim të kryetarit që humbet zgjedhjet.
2. Zgjedhjen me votën e anëtarësisë së kandidatëve për deputet, dhe
3. Të krijonte një administratë profesioniste partiake që nuk përzihet në garat politike.
Kryesia e partisë e shpërfilli kërkesën time.
Kryesia nuk donte ndryshim, donte statusquo.
Të dashur delegatë:
Nuk e tregova këtë histori sepse dua të dukem triumfues
tani që ju doni të miraton pikë për pikë propozimet e mia
të cilat i shpërfillët pak muaj më parë.
E tregova, sepse dua të theksoj një gjë të rëndësishme:
Ndryshimi i partisë sonë është sfidë e vështirë.
Sepse kërkon në rradhë të parë ndryshimin e mendësisë sonë.
Është mendësia jonë politike ajo që krijon autokracinë në partinë tonë.
Jemi ne, me mendësinë tonë, që ja lamë partinë Lulzim Bashës ta uzurponte për interesat e tij personale.
Prej javësh, është trumbetuar një histori tjetër për Lulzim Bashën, një histori me tradhti, pengje, kapje.
Por kjo është shpikje arsyesh për të shmangur arsyen e vërtetë të gjendjes ku kemi arritur:
• mendësinë dhe kulturën tonë parademokratike politike e shoqërore:
• neve na mungon kultura e lirisë dhe demokracisë.
Prandaj, dalja nga gjendja ku jemi kërkon në rradhë të parë të flakim mendësinë e përuljes, të bindjes së verbër, të frikës.
Nuk ka statut partie që mund të ndalojë kontrollin e partisë nga kryetari
nëse nënshtrimi është në mendjen tonë.
Të shkruash në statut se kryetari humbës duhet të largohet
është vetëm një gjë në letër.
Vetëm nëse ne besojmë vërtetë tek ky parim,
vetëm nëse ne besojmë se askush nuk duhet të jetë mbi këtë parim
vetëm atëherë ne do të kemi një parti demokratike.
Në fakt kjo është prova e vërtetë që kemi sot si parti.
Nuk është prova për të ndryshuar statutin në letër,
por prova për të treguar se statuti nuk është një copë letër
por një kushtetutë që qendron mbi çdokënd, kushdo qoftë ai.
Sfida e vërtetë e Kuvendit,
sfida e të gjithëve neve sot është të tregojmë se edhe Sali Berisha nuk mund të jetë mbi parimin se kryetari që humbet zgjedhjet nuk zgjidhet më në krye të partisë.
Rregulli “kryetari që humbet nuk vjen më në krye të partisë” duhet të fillojë të zbatohet me Lulzim Bashën por edhe mbi Sali Berishën dhe çdo kënd tjetër në të ardhmen.
Vetëm nëse edhe Basha edhe Berisha përjashtohen nga e drejta për të garuar përsëri për kreun e partisë,
ne do kalojmë provën e seriozitetit të projektit të ndryshimit që po shpallim sot.
Vetëm atëhere do të fillojë ndryshimi i vërtetë i PD-së.
Nëse nuk e bëjmë këtë gjë,
nëse vazhdojmë me mendësinë e mesianizimit
—kërkimit të shpëtimit tek Mesija—
ne do jemi që nesër në një krizë të re.
Duke perifrazuar një shkrimtar të madh dua të them se “e mjerë është partia që ka nevojë për një hero.”
Partia Demorkatike nuk ka më nevojë për heronj.
Ajo ka nevojë për liri dhe mundësi për të gjithë.
Partia Demokratike duhet ta heqë dorë nga modeli i udhëheqësit të fortë, nga udhëheqësi që vendos për gjithçka.
Nëse jemi këtu për të zëvendësuar Bashën me Berishën, kemi mashtruar veten dhe të tjerët.
Unë e di: mes jush, mes anëtarëve të PD-së, mes shqiptarëve kudo ku janë
ka aftësi të jashtëzakonshme,
ka njerëz me integritet, me kurajë, me vizion.
Prej tyre duhet të dalin udhëheqësit e rinj të PD-së.
Kjo është sfida jonë e parë: të zgjedhim në krye të partisë një udhëheqës që nuk ka lidhje me trashëgiminë e keqe nga e shkuara,
Të zgjedhim një udhëheqës që mendon, ndjen dhe mbi të gjitha vepron si evropian.
Ne nuk kemi nevojë as për heroin historik ballkanik dhe as për evropianin fallco.
Të dashur delegatë,
Ne kemi nevojë për reflektim të thellë dhe jo për sjellje triumfale.
Kemi nevojë për përunjësi dhe për mendje të hapur.
Sepse duhet të shohim në sy gabimet, të metat, dhe dobësitë tona.
Vetëm kështu ne do të kuptojmë nevojat tona të vërteta.
Nevoja jetike e Partisë Demokratike sot është të bëjë një shkëputje të fortë dhe të përhershme nga e shkuara,
Nga udhëheqësit e të shkuarës
nga mënyrat e vjetra të të bërit politikë,
nga mënyrat e vjetra të vendim-marrjes politike,
nga mënyrat e vjetra të karrierës brenda partisë.
Ne duhet ta ngulitim në mendjen tonë se detyra e një partie politike,
detyra e Partisë Demokratike është t’u afrojë njerëzve një alternativë ndaj pushtetit,
një alternativë të besueshme, që ngjall shpresë.
Detyra jonë nuk është të ndezim revolucione apo të rrëmbejmë armët.
Populli ka të drejtë të protestojë,
njerëzit kanë të drejtë të protestojnë,
populli ka të drejtë ta rrëzojë qeverinë që nuk do.
Kurse PD-ja ka detyrë të tregojë se ka një rrugë ndryshe nga ajo e Edi Ramës,
Ka një alternativë që bën kontrast si nata me ditën me Edi Ramën,
një alternativë me njerëz të ndershëm,
me njerëz të zotë,
me njerëz që e duan Shqipërinë.
Edi Rama nuk rrëzohet me ulërima dhe molotov, por me ndershmëri dhe qytetari.
Edi Rama rrëzohet me nder dhe jo me forcë.
Një grup i ndershëm në krye të PD-së është “mina” që hedh në erë pushtetin e korruptuar dhe shkatrërrues të Edi Ramës.
Të dashur delegate!
Një alternativë ndryshe duket jo nga fjalët, por nga mënyra si ne veprojmë dhe vendosim brenda partisë tonë.
Njerëzit kanë humbur besimin tek fjalët, tek premtimet e politikanëve.
Njerëzit kanë humbur çdo shpresë tek politika.
Njerëzit nuk gënjehen dot me shpresë të rreme dhe entuziazëm fallco.
Në vend të fjalëve ata kërkojnë nga ne vepra, kërkojnë shembuj.
Kërkojnë të shohin shembullin e sjelljes tonë brenda partisë sonë.
Vetëm një parti që garanton konkurencën e ndershme dhe mundësi për të gjithë brenda saj,
mund të garantojë konkurencën e ndershme dhe mundësitë për të gjithë shqiptarët kur të vijë në qeverisje.
Vetëm një parti që nuk financohet nga oligarkët
një parti që bën transparente financat e saj,
mund të luftojë oligarkët dhe paratë e krimit kur të vijë në shtëpi.
Vetëm një parti që garanton një administrim të paanshëm brenda saj,
me një administratë profesioniste,
e cila është e paanshme në garat e brendshme partiake,
mund të garantojë zgjedhje të ndershme politike dhe administratë të pavarur dhe profesioniste kur vjen në pushtet.
Vetëm një parti e tillë, mundet të hartojë një vizion të besueshëm për problemet kryesore që ka sot Shqipëria,
për luftën kundër krimit, korrupsionit, oligarkisë
për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Mbi të gjitha, një parti e tillë e ndryshuar mund të sjellë në krye një ekip të ri,
Me njerëz të pastër,
Me njerëz të aftë për të fituar besimin e publikut.
Prandaj unë ju ftoj:
1. Të ndalojmë çdo kryetar humbës në krye të partisë, në statut dhe në mendësi,
2. Ti japim anëtarësisë të drejtën të zgjedhin kandidatët për poste publike, në statut dhe në mendësi,
3. Të krijojë një administratë profesioniste partiake, të ndarë nga pjesa politike, në statut dhe në praktikë.
Mbi të gjitha ju ftoj të sjellim një ekip të ri në krye të parties,
Pa lidhje me udhëheqjen e shkuar të partisë.
Ju ftoj të heqim dorë nga mendësia e mesianizmit,
Dhe të përqafojmë mendësinë e lirisë dhe mundësive për të gjithë.
Dua t’i bëj edhe një thirrje Zoti Berisha:
Ky është momenti për t’i hapur rrugën të resë.
Më mirë se kushdo tjetër në këtë tubim, ju e dini mirë se çfarë i duhet PD-së për të rigjetur besimin e shqiptarëve dhe riardhur në pushtet.
Rikthimi juaj në krye të PD-së mund të duket sikur zgjidh krizën e sotme, por ajo vdes të ardhmen.
Lejoni të ardhmen të vijë në PD.
Këto që unë po kërkoj, nuk janë thjesht dëshira ime,
Ato janë aspiratë e mijëra demokratëve.
Mbi të gjitha ato janë kërkesa e dhjetëra mijëra qytetarëve që nuk janë me asnjë parti, por janë me Shqipërinë.
Ata duan një politikë të re!
Ata duan ndryshimin!
Nëse bëhemi ne agjentët e ndryshimit, ata do të na bashkohen për të ndryshuar nesër gjithë Shqipërinë.
Gëzuar festën e themelimit të PD-së! /Abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!