“Kadare ndërkombëtarizoi historinë shqiptare”, Nazarko: Sakrifikoi marrjen e çmimit Nobel. Shqipëria të shpallë zi kombëtare!

schedule18:30 - 1 Korrik, 2024

schedule 18:30 - 1 Korrik, 2024

Ndarja nga jeta e shkrimtarit më të mirë të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, ka tronditur jo vetëm opinionin shqiptar por edhe atë botëror.

Analisti Mentor Nazarko në një intervistë për “Special Report” në ABC News, u shpreh se Kadare ndërkombëtarizoi historinë shqiptare nëpërmjet letërsisë, që është më universale, dhe më popullore.

Më tej, analisti tha se Kadare sakrifikoi marrjen e çmimit Nobel në letërsi me veprimtarinë e tij kombëtare, ndërsa shtoi se mund ta fitojë pas vdekjes. Ndër të tjera Nazarko tha se Shqipëria duhet të shpallë ditë zie kombëtare për humbjen e kolosit të letrave shqiptare.

Është një kontribut i madh për një komb kaq të vogël. Ai sakrifikoi atë që ishte objektiv i natyrshëm për një shkrimtar si ishte marrja e çmimit Nobel. Nëse nuk do e kishte krahas dimensionit të tij si shkrimtar dhe atë të aktivistit kombëtar, do mund të kishte më shumë probabilitet për të marrë çmimin Nobel. Për të përmendur- përfshirjen e tij në konfliktin në Kosovë, më konkretisht  në negociatat për paqen në Kosovë ku Franca ku ai jetonte, ka patur rol kryesor, ka nxitur një sfond armiqësor për kandidaturën e tij.

 Unë e kam intervistuar rreth 10 herë që nga 1993. Jam i nderuar që kam qenë një komunikues i privilegjuar i tij,për një mendje aq të shquar si e tija. Kadare duke jetuar mes dy botëve, mes Shqipërisë dhe Francës, ai shqetësohej për imazhin e shqiptarëve në Perëndim, sepse e kishte dominante në veprimtarinë e vet, raportin e kombit tonë me perëndimin. Dhe këtu vijmë në atë që ka qenë pjesë e madhe e krijimtarisë së tij letrare, jo vetëm si arrati, apo si mundësi për alegoritë e tij antiregjim, trajtimi i historisë së mesjetës. Është fakt i njohur- po ma pohonte një historian i shquar i mesjetës, se institucionet tona nuk e kanë trajtuar siç duhej periudhën para Perandorisë Otomane, kur kombi ynë kishte zhvillim natyral ekonomik e kulturor, i rreshtuar me këtë fluks të qytetërimit perëndimor, si duket në figurat e shquara në Venedik, në Arbërinë venedike, etj, etj. Pushtimi otoman e çoi mbrapa në shumë aspekte kombin, jo vetëm në humbje të territoreve. Kjo mungesë, vëmendjeje e historiografisë, e bëri Kadarenë që përmes letërsisë ta lëvrojë këtë periudhë, por kjo nuk e bën atë as filokatolik, as antiislam, dhe as antiturk si e portretizojnë shumë kritikë të tij, madje dhe qarqe të caktuara.

Kadare kishte një përmasë tjetër të shquar, raportin e tij me gjuhën, me anë të të cilës universalizonte mesazhin e tij kulturor, madje krijonte fjalë. Dashuria e tij për gjuhën ishte diçka emocionuese, dhe ai kishte përfundime të veta për gjuhën standarde, raportet me gegërishten, etj.. Ishte një figurë reference e shqiptarëve në botë, dhe në pikëpamje të masivizimit të mesazhit kombëtar nëpërmjet letërsisë së tij, ai ka vlera të mëdha, ndaj Ngjela, historian në potencë e ka krahasuar me Skënderbeun, në plan botëror. Unë në rolin tim modest si gazetar, kam pasur rol në shmangien e keqkuptimeve publike me kolosin tjetër shqiptar, Dritëro Agolli, për shkak të helmit, të kampeve respektive të servilëve, etj.

Kadare është dikush që ka dimensionin letrar, por dhe atë eseistik që e lëvroi deri në momentin e fundit si ishte vepra “kur grinden sundimtarët”, nëpërmjet të cilës ai lartëson veten në raport me Pasternakun, që mori Nobelin, ndonëse nuk i rezistoi Stalinit.

Kadare ka qenë ndërgjegjja jonë morale në një kuptim, njëlloj autoriteti moral. Do ishte e pranueshëm që Shqipëria të shpallte ditë zie kombëtare. Ai na ka dhënë mundësi, neve, pjesë e një kombi të vogël të flasim me krenari botërisht për origjinën tonë. Ai mund të marrë çmimin Nobel pas vdekjes.”, u shpreh analisti./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!