SHQIPËRI- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur punën për të bërë evakuimin e disa shqiptarëve, që sipas saj ndodhen në Rripin e Gazës dhe janë në vështirësi si pasojë e luftës që ka shpërthyer mes Hamasit dhe Izrealit.
Me një reagim publik, MEPJ-ja thotë se po bëhen të gjitha përpjekjet për të evakuuar shqiptarët nga zona e rrezikut.
Deklarata e MEPJ-së:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në Izrael dhe Egjipt vijon përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në vështirësi, për shkak të luftës në Izrael dhe Rripin e Gazës.
Pas disa intervistave në media, MEPJ përmes ambasadës në Egjipt është vënë në kontat me disa qytetarë (shtetas shqiptarë) të cilët kërkojnë të largohen nga Rripi i Gazës.
Prej 48 orësh MEPJ është në kontakt orë pas ore me këta shtetas, të cilët vetëm dy ditë më parë kanë deklaruar zyrtarisht se jetojnë në Rripin e Gazës. Më herët, MEPJ nuk ka patur asnjë deklarim të shtetasve shqiptarë, pranë autoriteteve të saj në Egjipt apo Izrael, që jetojnë në Rripin e Gazës.
Prej kontaktit të parë me këta shtetas, MEPJ është në komunikim në vazhdueshëm me përfaqësitë e saj në Egjipt dhe Izrael dhe organizatat ndërkombëtare për lehtësimin e daljes së shtetasve nga Rripi i Gazës.