“Ka një arsye pse spitali mban emrin Nënë Tereza”, Rama-mjekëve: Ajo që jepni ju, është investim për këtë vend

schedule10:45 - 1 Korrik, 2024

schedule 10:45 - 1 Korrik, 2024

Kryeministri Edi Rama iu kujtoi mjekëve të QSUT-së arsyen se pse ky spital mban emrin e Nënë Terezës. Në takimin me drejtuesit e strukturës spitalore pas skandalit në Onkologjik, kreu i qeverisë tha se ajo që japin mjekët për pacientët, është investim për vendin.

“Nëse mjekët kanë një pagë më të mirë, përsëri iu lutem mos e harroni për asnjë moment ato para, janë të atyre që vijnë këtu për të marrë shërbim, të familjarëve të tyre dhe të gjithë shqiptarëve. Janë paratë e tyre që paguajnë pagat tuaja, dhe të gjitha investimet, ato që ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për rritjen e kapaciteteve të stafit. Përftimi i kartës së autonomisë menaxheriale nga QSUT është hapi i parafundit përballa mbylljes së ciklit e marrjes së autonomisë. Autonomia do të jetë faza e re ku shumë gjera vihen në vend dhe masat që do të merren brenda korrikut dhe do të ketë gjoba shumë kuptimplota, përveçse do të shkojnë në pezullim për gjithë jetën, do të jenë në ligj akoma por s’do të duhen më sepse ky do të jetë spitali juaj edhe për pagën edhe për mbi pagën. Kam besim te fuqia profesionale e kësaj trupe.

Besimi më lëkundet te fuqia morale dhe kapaciteti për të bërë një ekstra sforco si frymë e përgjithshme për të anormuar empatinë dhe fjalën e mirë, atë gjënë që në dukje është e parëndësishme por që bën gjithë diferencën. Respektin për njeriun që ka nevojë dhe që është në duart e juaja. Mendoj që kjo që ndodhi s’duhet të kishte ndodhur por është një e keqe e madhe që duhet kuptuar se çfarë të mirash duhet të prodhojë. Kam besim sidomos te ata që kanë shumë për t’u dhënë nga eksperienca më të rinjve, por kam shumë besim te më të rinjtë për të ndërtuar një kulturë empatie. Nuk kushton asnjë gjë. Nuk po kërkoj që ju të bëheni si ajo, por të mos harroni që ky spital ka emrin Nënë Tereza dhe e ka një arsye pse e ka. Mos e harroni që çfarëdo që do të jepni ju nga shpirti juaj, do të jetë investim i madh për këtë vend të fëmijëve tuaj.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!