Për banorët e Kukësit ditët e nxehta morën fund. Por në mënyrë të menjëhershme ata po përballen me temperatura të ulëta, të cilat i kanë detyruar të vishen trashë. Nga ana tjetër Kukësi po përjeton kohë të gjatë pa reshje dhe niveli i liqenit ka rënë ndjeshëm.
Banorët kanë veshur xhupat. Kurse rrugët dhe sheshet janë boshatisur nga i ftohti. Dimri në Kukës erdhi parakohe. Pas stuhisë, temperaturat ranë në 11 gradë celsius. Po hyjmë në muajin e dytë të vjeshtës e kjo periudhë po shënon rekordin e radhës për mungëse të reshjeve. Nuk mbahet mend hera e fundit me reshje shiu.
Kjo për pasojë ka sjellë edhe pakësimin e burimeve ujore e rrjedhimisht edhe në uljen e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës. Fierza vijon punën me kapacitet të plotë të prodhimit të energjisë, por parashikimi i motit nuk jep shpresë për reshje të paktën edhe për disa ditë./abcnews.al