Akoma pa u mbyllur sezoni kanë nisur largimet te Kukësi. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë nuk u prit mirë nga drejtuesit e klubit verilindor, që kanë lënë të lirë brazilianin Matheus Leiria Dos Santos. Sulmuesi i afruar në verë, sipas Kukësit, ka kërkuar largimin për arsye familjare.
“Futboll Klub Kukësi njofton se futbollisti brazilian Matheus Leiria Dos Santos nuk është më pjesë e skuadrës sonë! Mesfushori i ardhur në merkaton e verës, ka kërkuar nga klubi dokumentacionin për t’u larguar në drejtim të Brazilit duke qenë se nëna e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.
I detyruar për të qenë pranë familjes në këtë moment të vështirë, futbollisti ka kërkuar nga klubi të largohet. Nga ana tjetër, klubi e ka mirëkuptuar futbollistin dhe e ka lejuar që të largohet nga ekipi për të qenë pranë familjes.
Futboll Klub Kukësi i uron nënës së tij shërim sa më të shpejtë dhe futbollistit i uron suksese në karrierë! Faleminderit Leiria”, njofton klubi i Kukësit përmes faqes zyrtare në “Facebook”. 26-vjeçari me Kukësin u aktivizua në 23 ndeshje në kampionat dhe shënoi dy gola. /abcnews.al