“Ka bërë xhiron e botës”, Alimehmeti në ABC: Çfarë duhet të presim nga versioni i ri i Covid-19

schedule13:51 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 13:51 - 28 Dhjetor, 2020

Në Britaninë e Madhe është identifikuar një version i ri i koronavirusit që thuhet se përhapet më shpejt se versioni fillestar. Megjithatë, ky mutacion i Covid-19 mund të jetë kudo në botë, për sa kohë nuk kemi të dhëna të qarta.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, në një bisedë me gazetaren Juli Xhakoxhi në ABC shpjegoi:

“Ku quhet virus nën hetim, pra është duke u parë. Britania e Madhe bën mbi 50 për qind të sekuencimeve gjenetike, pra gjen ai që kërkon. Ne i çojmë vetë kampionet atje në Londër. Ata kanë gjetur 4000 variante të tjera, dhe për këtë nuk u fol në media. Ne diskutojmë mbi atë që gjejmë.”

Siç shpjegoi mjeku, ky version i ri virusit nuk duket të jetë më agresiv.

“Rastet kanë filluar të identifikohen në shtator. Në zona shumë të vogla, tek personat nën 60 vjeç Klinika nuk është me e keqe, vdekjet nuk janë më shumë. Ky variant është zbuluar edhe në Australi, Afrikën e Jugut, ka bërë xhiron e botës.”

Por, e cënojnë efektivitetin e vaksinës këto mutacione të virusit, Alimehmeti thotë se deri më tani, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë.

“Deri në këto momente nuk ka asnjë variant që të bëjë që vaksina të mos funksionojë.”

Ndërsa, i pyetur nëse mund të ndodhë që ky virus të “shuhet” vetë në një farë pike, Ilir Alimehmeti thotë që ky opsion nuk mund të përjashtohet tërësisht.

“Mund të ndodhë që të zhduket. Me këto mutacione i nënshtrohet edhe ai evolucionit natyror. Cikli i tij i jetës është më i shkurtër. Shkon për klinikë më të vogël, shtrimet dhe vdekjet bëhen më të ulëta…Automatikisht zhduket vetë.”

Ndërkohë, vendi ynë po sheh një ulje rastesh në ditët e fundit, megjithatë, mjeku epidemiolog thotë se në thelb nuk kemi vetëm ulje rastesh, por edhe rënie klinike, pra të shtrimeve në spitale.

Megjithatë, ai theksoi se të dhënat që jepen nga Ministria e Shëndetësisë në raportimet ditore janë të paqarta për të bërë llogari të sakta.

“Klinika po vjen po bëhet më e butë në përqindje të rasteve…Elementi kyç: në zona të caktuara në mosha të caktuara, tashmë imuniteti i tufës është vendosur.”

Imuniteti i tufës, sipas tij, është arritur kryesisht në zonat urbane dhe kryesisht nga moshat aktive. “Shifrat janë në zbritje për Tiranën, në rrethe mbetet e gjallë situata.”

Epidemiologu tha po ashtu se, duke ndjekur këtë trend, presim ulje të vdekshmërisë në janar.

“Në janar presim një ulje të vdekshmërisë.  Rënien e rasteve e kemi filluar javën e parë të dytë të nëntorit, por duhet pasur kujdes sepse janë raste bruto, nuk dimë mosha dhe gjini.”

“Rastet e reja nuk i kemi te prezantuara mire, e për rrjedhojë nuk llogarisim dot mirë vdekjet.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!