Juventusi, superskuadër për të fituar Champions-in

schedule16:43 - 4 Gusht, 2018

schedule 16:43 - 4 Gusht, 2018

Juventusi ka ndërtuar një skuadër për të dominuar Europën. Trajneri Allegri ka në dispozicion kampionë të mëdhenj, me në krye Cristiano Ronaldon.

Nuk ka më bukur sesa një fillim sezoni, por kjo vlen sidomos në këtë ekip. Kishte më shumë se një dekadë që tifozët e Juventusit nuk shikonin një nivel të tillë të skuadrës së zemrës.

Pavarësisht 7 titujve kampionë radhazi në Serinë A dhe triumfeve në Kupën e Italisë, ëndrra e madhe mbetet Championsi, e mbiquajtur “kupa me veshë”, të cilën juventinët dështuan dy herë ta fitonin në finale.

Gjithsesi, kjo verë pati një ndryshim me të vërtetë dramatik. Nga Spanja erdhi Topi i Artë i vitit 2017, Cristiano Ronaldo, një nga dy yjet më të mëdhenj të botës, bashkë me Lionel Messin.

Braktisja e Realit u bë vetëm e vetëm për të vazhduar triumfet. Nga Milani u rikthyerLeonardo Bonuçi, pjesëtar i treshes së famshme të mbrojtjes, “BBC”.

Pavarërisht largimit të ish-kapitenit Bufon, formacioni i trajnerit Masimiliano Allegri duket i kompletuar, me nga dy lojtarë për rol. Në portë, Shezni e Perin, në mbrojtje titullarë të tillë si Chiellini, Bonuçi, Aleks Sandro apo Cancelo, duke pasur zëvendësuesit e duhur.

Në mesfushë, Pjaniç, Matuidi dhe Emre Can, ndërsa sulmi i ëndrrave është me Ronaldon, Dybalën e Daglas Costa-n, dhe me alternativa si Mandzukiç, Kuadrado apo Bernardeschi.

Sezoni ende nuk ka filluar, por tifozët kanë shumë shpresë se Juventusi do të dijë të dominojë jo vetëm në Itali, por edhe të fitojë Championsin për herë të tretë në histori, dhe për herë të parë pas 23 viteve./abcnews.al