Maurizio Sarri iu gëzua fitores së Juventusit kundër Bologna, ndërkohë që analizoi paraqitjen e skuadrës së tij dhe emrave të veçantë, si Bernardeschi dhe Matthijs De Ligg. Tekniku italian vë re një përmirësim të bardhezinjve, në krahasim me dy ndeshjet e Kupës kundër Milanit dhe Napolit.
“Ishim më në formë fizikisht, pasi luajtëm më intensitet për 70 minuta. Në Kupë u zhdukëm pas 20-30 minutave të para”, tha fillimisht Sarri, i cili më pas foli për emra të përveçëm. “Bernardeschi ishte paraqitur mirë si zëvendësues dhe më la përshtypje të mirë. Mbrojti dhe sulmoi, ndaj edhe jam i kënaqur.
Shpesh është kritikuar dhe nënvlerësuar. Kundër Bologna mund ta kishim shënuar edhe golin e tretë disa herë. Nga fundi ramë dhe na duhej më shumë thellësi. Matthijs po mësohet edhe më shumë me stilin italian të futbollit. Ka ardhur nga Holanda, ku kalohet pak kohë duke analizuar mbrojtjen.
Është përshtatur shpejt, madje më shpejt se shumë të huaj të tjerë që kanë ardhur këtu në moshën e tij. Është i destinuar të bëhet lojtar i madh dhe me siguri do të bëhet një nga mbrojtësit më të mirë në Europë”, tha italiani për “Sky Sport” në lidhje me De Ligt dhe Bernardeschi.
Në fund ai thekson se kritikat për ta kanë qenë të tepruara, pasi janë ende të parët. “Në futboll dhe jetë ka opinione dhe fakte. Nëse dëgjon opinionet, do të mendoni se ky ekipi po shkërmoqej dhe po binte. Nëse shikon faktet, vë re që jemi të parët në klasifikim.
Kritikat ishin të tepërta dhe mund të shërbejnë si një motivim për ne të kthehemi në formë në aspektin mendor, më shumë se në aspektin fizik që kërkon më tepër kohë”, përfundon Sarri, i cili duhet të mendojë për ndeshjen e radhës, që Juventusi e luan në shtëpi kundër Lecce. /abcnews.al