Juventusi rrezikon shumë në Londër, në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve. Italianët nuk cilësohen favoritë, pas barazimit 2-2 në Torino me Totenhemin.
E habitshme sesi i shpëtoi nga duart ndeshja e parë, por tani është koha për të menduar të dytën.
Juventusi nuk ka më kohë që të dëshpërohet për barazimin 2-2 në Torino ndaj Totenhemit, pasi sonte në mbrëmje, në 20:45, do të duhet të arrijë kualifikimin për në çerekfinale.
Nuk do të jetë aspak e lehtë në Londër, në kryeqytetin e vendit që shpiku futbollin, dhe në stadiumin mitik “Uembli”.
Gjithsesi, Juventusi beson se është gati, dhe se e ka përvojën e duhur.
Për më tepër, në Angli, bashkë me maskotin kanë ardhur shumë tifozë që do të jenë në tribuna.
Trajneri Masimiliano Alegri jep lajme të mira përsa i përket formacionit dhe gjendjes së yjeve kryesorë si Higuain apo Dibala.
Masimiliano Alegri: “Do të luajnë që të dy. Higuain prej dy ditësh është stërvitur me skuadrën, pra është në dispozicion dhe është gati për të luajtur, ashtu siç është edhe Dibala. Dibala rikuperoi mirë pas ndeshjes me Lacion, jo më kot është i ri, 24 vjeç. Ndeshja me Totenhemin është e tillë që secili lojtar dëshiron ta luajë dhe të shkëlqejë, edhe nëse nuk është plotësisht në formë. Nuk e di sesi do të luajë Totenhemi, por mendoj se kundërshtari do të ketë më shumë presion, pasi ka avantazh. Për ne është finale, dhe do të na duhet shumë durim dhe shumë nivel teknik”.
Një nga emrat më të mëdhenj të Juventusit është kapiteni Xhanluixhi Bufon.
Portieri flet për ndeshjen dhe pyetet për të ardhmen e tij.
Xhanluixhi Bufon: “Është një sfidë shumë emocionuese, dhe kjo për faktin se luhet në një stadium, në një teatër historik dhe të pabesueshëm. Ne do të duhet të luftojmë fort për të arritur kualifikimin, dhe duket se do të jetë disi “malore”, për vetë rezultatin e ndeshjes së parë, dhe për forcën që tregoi kundërshtari. Gjithsesi, më mirë kështu, pasi kur të duket më e lehtë, mund të gabosh më shumë. Përsa i përket të ardhmes sime nuk dua që të flas, por shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja e fundit e këtij sezoni në Champions, për Juventusin”.
Çfarë mendon për Bufonin, kolegu i tij, portieri i Totenhemit, Hugo Joris, që gjithashtu është kapiten i skuadrës së tij?
Hugo Joris: “Ai është një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit, padyshim. Ai ka vënë vulën e tij në futbollin botëror dhe meriton të respektohet thellësisht. Kur isha fare i ri, në akademi, na jepnin si shembull dy portierë, Iker Kasijasin dhe Xhanluixhi Bufonin. Gjithsesi, ne duhet të mendojmë për ndeshjen. U treguam me shumë karakter në takimin e parë, por ndaj Juventusit mund të ndodhë gjithçka, sidomos nëse nuk arrin të japësh maksimumin dhe të luash me mentalitetin e duhur”.
Totenhemi po ashtu e pret ndeshjen me optimizëm.
Verën e kaluar luajti ndaj Juventusit pikërisht në “Uembli” dhe fitoi 2-0, ndonëse ajo ishte thjesht një miqësore.
Sot, trajneri Maurisio Poçetino ka në dispozicion thuajse të gjithë lojtarët, ndërsa forma ka qenë shumë e mirë gjatë gjithë sezonit.
Sulmuesi Harri Kejn është shpresa e madhe për suksesin, edhe pse gola mund të shënohen edhe nga shumë të tjerë.
Poçetino bën analizën e tij.
Mauricio Poçetino: “Së pari duhet të dalim në fushë dhe të kënaqemi. E dimë se do të luajmë ndaj njërës prej skuadrave më të mira të Europës, por ne jemi skuadër e guximshme, me moral të lartë dhe që na pëlqejnë sfidat. Ndaj Juventusit luhet edhe për t’u kualifikuar, edhe për t’u kënaqur. Ne mendojmë se mund të fitojmë, por sidoqoftë, rezultati do të vijë si pasojë e paraqitjes sonë në fushën e lojës”.
Juventusi nuk cilësohet favorit, por as pa shanse, përkundrazi.
Në vizitën e fundit që zhvilloi në Angli për Championsin, fitoi 2-1 në fushën e Mançester Sitit në 2015-ën.
Po ashtu, barazimi në ndeshjen e parë nuk ka qenë gjithnjë fatal, pasi gjashtë herë ka arritur të kualifikohet.
Mjafton të kujtohet suksesi në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës në vitin 2003, kur italianët arritën finalen e Championsit./abcnews.al