Dy ndeshje derbi do të luhen në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Këto përballje do të jenë Juventus-Torino dhe Milan-Inter
Në moment të tilla duket diferenca.
Juventusi ia doli të kualifikohej në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ndërsa Roma u detyrua të kthehej në shtëpi.
Dy nga skuadrat më të mëdha të sezonit nuk janë pra të barabarta dhe nuk ka sesi të jenë, për vetë historinë e ndryshme dhe diferencën e madhe në buxhet.
Juventusi kampion i lejoi vetes të ulte në stol Kielinin, Pjaniçin, Kedirën apo Higuainin, si dhe të përballonte mungesat për shkak dëmtimi të Bufonit apo Manxhukiçit, por sërish pati luksin të hidhte në fushë yje.
Titullarë ishin Dibala, autor goli, Lihtshtajner, Barxali, Markizio, Bernardeski apo Dagllas Kosta.
Ky formacion mposhti 2-0 Xhenoan në stadiumin “Juventus”, dhe përveç Dibalës shënoi edhe Higuain që hyri si zëvendësues.
Ishte pra mbrëmje e argjentinasve, me Dibalën që duket se po del nga kriza, pas një muaji pa realizuar asnjë gol.
Në çerekfinale do të kemi derbin me Torinon, pasi skuadra e trajnerit Mihajloviç ia doli 2-1 në fushën e Romës.
Trajneri romanist, Di Françesko, u detyrua edhe ai të bënte ndryshime të shumta në formacionin bazë, dhe pranoi eleminimin duke mos pasur aq shumë alternativa sa Alegri.
Dominimi i miqve solli epërsinë e tyre 2-0 me gola të De Silvestrit dhe Ederës, ndërsa Roma ngushtoi shifrat me anë të Shikut.
Çerekfinalet e Kupës së Italisë do të kenë, ndërkaq, edhe një derbi tjetër, atë mes Milanit dhe Interit në “San Siro”./abcnews.al