Juventus-Torino është ndeshja hapëse e javës së 35 në kampionatin italian. Sfida delikate për Inter, Romën dhe Milanin që duan sigurimin e Championsit.
Derbi Juventus-Torino është ndeshja hapëse e javës së 35 në Serie A. Bardhezinjtë e kanë siguruar matematikisht titullin kampion dhe ndaj Torinos do të luhet vetëm për statistika.
Në kampin e Juventusit përqendrimi është maksimal pasi derbi ka një rëndësi të veçante. Trajneri i “Zonjës se Vjetër”, Masimiliano Allegri, pritet të përdorë skemën 4-3-3 me Ronaldon, Bernardeschi-n dhe Kean në sulm.
Portugezi ka realizuar 20 gola në këtë sezon me bardhezinjtë dhe qëllimi kryesor i pesë herë fituesit të Topit të Artë është të shpallet golashënues në kampionatin italian ndaj dhe në Torino kanë një arsye të fortë për t’u frikësuar.
Ekipi Granada po zhvillon një sezon të shkëlqyer pasi ndodhet në vendin e gjashtë në klasifikim, ndërkohë që vijnë në këtë përballje pas fitores ndaj Milanit. Torino ka humbur vetëm një ndeshje në 14 sfidat e fundit.
Interi do të luajë në transfertën e Udinese-s. Ekipi friulian ende nuk e ka siguruar mbijetesën dhe për zikaltërit parashikohet një duel i vështirë. Inter renditet në vendin e tretë dhe kualifikimi në Champions është një objektv i realizueshëm ndaj dhe barazimi lejohet për skuadrën e Spalletit.
Ndeshje delikate dhe për Romën që do të luajë në fushën e Genoa-s. Verdhekuqtë janë rikthyer në një formë mjaft të mirë dhe vetëm një pikë e ndan nga vendi i katërt që është synimi kryesor i skuadrës së trajnerit Ranieri. Napoli do të presë në shtëpi skuadrën e Cagliari-t. Një sfidë e lehtë në letër për të besuarit e trajnerit Carlo Anceloti që luajnë sa për statistika.
Milan-Bolonja do të zhvillohet të hënën në San Siro. Kualifikimi i kuqezinjve në Champions sa vjen e vështirësohet ndaj dhe në shtepinë e Milanit, fitorja është detyrim të hënën në mbrëmje. Ne të kundërt objektivi Champions do të cilësohej një kapitull i mbyllur./ABC News albania 24/7