Juventus nuk e lëshon turkun, “Zonja e Vjetër” me plane të mëdha për Kenan Yildiz

schedule20:16 - 3 Shtator, 2024

schedule 20:16 - 3 Shtator, 2024

E nisi në majë të gishtave, por tashmë është i rëndësishëm.

Kenan Yildiz është një nga shpresat e mëdha të së tashmes dhe të ardhmes së Juventus, e klubi italian nuk ka ndërmend të mbetet pa të.

Pasi luajti më pak se 1 000 minuta sezonin e kaluar në Serie A, por shënoi dy gola e shërbeu një asist, dhe pasi realizoi dy herë edhe në Kupën e Italisë, trajneri Thiago Motta e mendon si tepër të rëndësishëm për planet e tij.

Jo më kot, “Zonja e Vjetër” do t’i japë turkut fanelën prestigjioze me numrin 10, që në të kaluarën e kanë mbajtur lojtarë si Platini, Roberto Baggio apo Alessandro Del Piero dhe lajmet nga Italia janë që klubi piemontez të rrisë ndjeshëm dhe rrogën e 19-vjeçarit, i cili deri tani ka qenë i paguar fare pak.

Pritet që Yildiz të marrë 1.2 milionë euro pagë në vit, ende jo një shifër e jashtëzakonshme, por gjithsesi katër herë më shumë sesa fiton me kontratën e vjetër, natyrisht, kjo ndodh pasi ai e tregoi veten.

“Zonja” hodhi poshtë kërkesa të klubeve të tjera për “yllin” turk, veçanërisht nga “Blutë” e Chelsea, mirëpo bordi drejtues vendosi të refuzonte çdo ofertë.

Talenti i lindur në Gjermani, me një shtatlartësi të admirueshme prej 1.87 metrash, mund të luajë në disa pozicione, me futbollistin 19-vjeçar që mund të aktivizohet si sulmues i dytë, por edhe si lojtar i krahut të majtë e të djathtë.

Ndërkaq, kujtojmë se Yildiz luajti në 5 ndeshje të Turqisë në Evropian, duke qenë titullar në 4 përballje, e duke u aktivizuar për 77 për qind të minutave të mundshme. /i.m /abcnews.al