E ftuar në “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano ka qenë e ftuar Justina Aliaj, mjeshtre e madhe e artit shqiptar.
Justina Aliaj ndau në studion e Provokacija-s , mendimet dhe opinionet e saj, në lidhje me artin shqiptar si dhe se sa i ndjek ato. Aliaj tha se mënyra e të bërit art, ka ndryshuar, dhe se veçon e vlerëson disa artistë të rinj, të cilët i sheh si talente të mëdhenj.
Ja çfarë tha ajo në studion e Provokacija:
Mustafa Nano: Si e shihni spektaklin?
Justina Aliaj: Spektaklet e përjavshme kërkojnë një impenjim absolut emergjent. Për mua të gjithë këto që japin spektakle çdo javë në një lloj mënyre i shoh me adhurim sepse bëjnë të pamundurën për një javë. Mos harro Muç ne e kemi bërë për 3 muaj atë që këta e bëjnë për një javë. Për tre muaj unë kam mundur ta punoj madje ndoshta dhe nuk e kam gjetur personazhin. Sot këta artistë që luajnë çdo javë, janë futur në një marrshim të shpejtë e të vështirë që unë e vlerësoj shumë. Pëlqej shumë prej tyre, sepse janë shumë të aftë, por në të njëjtën kohë do të thoja që ka dhe penalizmin e vet. Sepse “nëse e nxjerr kaq shpejt, ndonjëherë del dhe pa pjek”.
Mustafa Nano: Në kohën tuaj kishit avantazhin të mos e konsumonit veten javë për jave, si e shikoni?
Justina Aliaj: Mënyra se si punojnë tani është krejt tjetër gjë me atë që punonim ne dikur. A është e mirë apo e keqe atë e tregon koha, por mendoj që këta të rinj, shkojnë duke e përmirësuar lojën e tyre, penën e tyre apo çfarë zgjedhin.
Mustafa Nano: Duke ngelur te humori, ju a shihni sot një Tano Banush, apo Zyliha Miloti?
Justina Aliaj: Më ke përmend 3 më të mëdhenjtë, por ka, si s’ka. Është pak e vështirë të them Tano, është pak e vështirë të them Zef Deda apo Zyliha Miloti, por mund të them se është shumë gjigant Agron Llakaj. Imitimet e tij janë perfekt, është fantastik, qesh dhe s’lodhem me të. Aty qëndron gjenialiteti i tij për mua.
Mustafa Nano: Po këta të tjerët, si i shihni?
Justina Aliaj: Më pëlqejnë edhe të tjerët.
Mustafa Nano: Një njeri që sheh televizion shqiptar gjithë kohën, a korruptohet shpirtërisht?
Justina Aliaj: I përzgjedh, dhe për shpirtin tim lartësohem. Ushqej veten me gjërat që më pëlqejnë. Shoh gjërat që dua.
Mustafa Nano: Televizionet shqiptare dominohen nga banaliteti apo nga cilësia, talentet?
Justina Aliaj: Më pëlqen të mendoj se dominohen nga talentet, do vij koha që do ti heqin dhe ato që janë banalitete. Në botë nuk janë, banaliteti nuk haset shpesh, madje i vendosin zhurmuesin gojës.
Mustafa Nano: Kur ndiqni programet e Tiranës, nuk filloni të mendoni me veten se po të ishit e pranishme do mundeshit të luanit një rol në përmirësimin e gjërave?
Justina Aliaj: PO, ajo vjen instiktivisht.
Mustafa Nano: Po teatri shqiptar, çfarë teatri bëhet sot këtu?
Justina Aliaj: Teatri shqiptar, mendoj që problemi ekonomik është problem determinant. Populli është shpirti i artit, ai të do pa kushte.
Mustafa Nano: Ju njohin shqiptarët sot?
Justina Aliaj: Po më njohin, kur kam bërë shfaqjen mbretëresha më kanë ardhur shumë djem e vajza të rinj që më kanë takuar.
Mustafa Nano: Keni bërë dhe aktoren dhe këngëtaren, cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi?
Justina Aliaj: Nuk mund ti ndaj të dyja.
Mustafa Nano: Cila është gjëja më e bukur që keni bërë?
Justina Aliaj: Fëmijët e mi. Më mungojnë shumë, është e dhimbshme, por më duket se nuk jam vetëm. Megjithatë të papërgatitur ne që jemi mësuar të jemi në tavolinë të gjithë bashkë.
Mustafa Nano: E keni përjetuar tërmetin e Shkodrës në 1979?
Justina Aliaj: PO , kam qenë studente. Ka qenë e dhimbshme, ka qenë kataklizmo. Kurrë nuk e harroi atëherë që kam dëgjuar këtë histori, qeni lehte rrotull shtëpisë dhe nuk e dëgjonte njeri, qeni pastaj e kap fëmijën në djep me dhëmbë dhe ikën, menjëherë gjithë familjarët shkojnë me vrap pas qenit kur pas 3-4 minutash shembet shtëpia. Pra qeni i shpëtoi./abcnews.al