Judicial Watch, një grup aktivistësh konservatorë amerikanë dhe monitoruesish që hetojnë shkeljet e zyrtarëve të lartë, raporton se ish-administrata Obama e financuar nga George Soros ka dhënë 9 milionë dollar në mënyrë që kryeministri shqiptar Edi Rama të kapë sistemin e drejtësisë në vend.
Presidenti i Judical Watch, Tom Fitton, i cili akuzoi miliarderin George Soros për përfshirjen nëpërmjet fondeve të dhëna administratës Obama në reformën në drejtësi në vendin tonë, në interes të kryeministrit aktual Rama, ka dhënë një intervistë për televizionin amerikan FoxNews. Ai tregoi ndër të tjera se si administrata e ish-presidentit Barack Obama e financuar nga George Soros, ka ndihmuar financiarisht kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në mënyrë që ky i fundit të kishte mundësi të kapte sistemin e drejtësisë.
Sipas Fiton, administrata e Obamës dërgoi rreth 9 milionë dollarë për një grup të quajtur ‘Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim’, organizatë që financonte aktivitetet politike në Shqipëri. Po sipas tij, paratë sollën fuqizimin e qeverisë socialiste dhe të Edi Ramës në Shqipëri.
Ai këmbënguli gjatë intervistës se fondet ndihmuan në sponsorizimin e sondazheve që ‘prodhuan rezultate të tipit, 91 për qind të mbështetjes pro-qeverisë ose thënë ndryshe pro-Sorosit që po financonte Reformën në Drejtësi në një kohë që kjo reform i shërben qeverisjes së majtë.
Sipas Judical Watch, Soros, një miliarder i krahut të majtë hungarezo-amerikan, i ka përdorur paratë e dhëna nga Administrata Obama për të nxitur ‘reformën’ e sistemit gjyqësor shqiptar. Më tej, në raportin e kësaj organizate thuhet se kryeministri shqiptar Edi Rama, i zgjedhur në vitin 2013, është kreu i Partisë Socialiste prej më shumë se një dekade.
Sipas Fitton, e keqja më e madhe është se, Soros financon grupet e tij qe janë të lidhura me organizata aktive anti politikës aktuale amerikane, në Hungari, Guatemalë dhe Kolumbi. Ai pretendoi se organizata të lidhura me Sorosin kanë këshilluar dhe kanë bërë politikën e tij në Shqipëri.
Gjashtë senatorë amerikanë të drejtuar nga senatori Mike Lee i kërkuan sekretarit amerikan të Shtetit të atëhershëm, Rex Tillerson, të bënte një hetim në çështjen Soros-Shqipëri. Një hetim që mendohet se ka nisur tashmë. Judical Ëatch akuzon dhe ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu si të përfshirë në këtë çështje, por ky i fundit ka mohuar gjithçka. Mediat konservatore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin një hapësirë shumë të gjerë me pasqyrimin e kësaj çështjeje./abcnews.al