Josip Juratovic: Zgjedhjet të zhvillohen siç e parashikon Kushtetuta

schedule14:20 - 12 Qershor, 2019

schedule 14:20 - 12 Qershor, 2019

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut që kryesohet nga Josip Juratovic dhe anëtarë të tjerë të  Bundestag-ut mbajtën një konferencë për media. Kryetari i Grupit Parlamentar, Juratovic u shpreh se zgjedhjet duhet të zhvillohen siç e parashikon Kushtetuta. Ndër të tjera ai u shpreh se në “Shqipëri ka krizë politike apo jo, këtë do ta përcaktojë e ardhmja”.

“Si parlamentarë të Bundestagut që mbulojmë çështjet e Ballkanit, vendeve që nuk janë ende pjesë e BE-së kemi marrë këtë turne në rajon dhe dëshirojmë që përmes këtij turi të informohemi rreth gjendjes dhe reformave. Kemi pasur kontakte me përfaqësues të Parlamentit, Komisioneve Parlamentare, Kryeministrin Rama, ministren e Drejtësisë dhe të Brendshmin për një panoramë të plotë të vendit dhe reformave. Për ne ka qenë e rëndësishme të mësojmë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat. Shqipëria dhe i tërë rajoni është oborri i brendshëm i BE-së dhe duhet të jetë pjesë e këtij unioni. Për mua, demokracia është një komunitet vlerash.

Janë punë të brendshme të vendit. Por, kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parashikon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment. Sepse vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke u bazuar në Kushtetutë… Dhe unë konsideroj që demokracia përfaqësuese në formatin e parlamentit është organi më i lartë demokratik.

Zgjedhjet përfaqëson konkurrencën mes partive politike. Secila parti ka të drejtën e saj për të marrë pjesë ose jo, do të jenë zgjedhësit se çfarë është bërë mirë apo keq. Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se çfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin. Jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziastë për zgjerimin e unionit. Kush pengon procesin e integrimit pengon ata që besojnë në vlerat demokratike”,– u shpreh Josip Juratovic./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!