Kukësi u mposht nga Kastrioti dhe tashmë presioni shtohet edhe më shumë, duke ditur që përballjen e radhës e luajnë kundër Tiranës rivale. Pas këtij dueli, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, foli trajneri Mirel Josa, i cili dukshëm ishte i mërzitur për rezultatin e skuadrës së tij.
“Nuk na shkon për shtat rezultati. Erdhëm të fitonim. Kishim ritëm të mirë në pjesën e parë, por kishim probleme me finalizimin dhe goditjen e portës. Dolëm në pozicion, por nuk i zgjidhëm teknikisht rastet. Ishim naivë te goli i pësuar. Ishte një aksion naiv nga e djathtë e mbrojtjes sonë.
Duhet të ishim më të përqendruar. Nuk ishte vetëm Dragoshi, por edhe lojtari tjetër që nuk u afrua. Gabimi i parë ishte markimi, i dyti dalja nga zona. Nuk u vendos ndeshja aty. Mund të pësosh një gol, por duhet të dish të përgjigjesh. Ata po mundoheshin me kundërsulme nga fillimi në fund. Me rezultatin në favor donin që të vononin lojë me çdo mënyrë.
Nuk dua të merrem me arbitrimin, pasi do justifikoheshim për lojën. Nuk ishim shumë të qartë në lojën tonë. Futa edhe Gashin, sikurse edhe lashë dy sulmuesit në fushë. Shtova edhe Leiran pas dy sulmuese. Më pas luajtëm vetëm me Demirin në qendër të mesfushës. Lojtarët po e merrnin topin mbrapa, jo në thellësi. Në 8 minutat e fundit luajtëm me top të gjatë dhe nuk doli gjë”.
“Nuk e diskutoj që lojtarët donin të fitonin, nuk ka të tillë. Ekipi është i bashkuar, nuk kam pretendime. Lojtarët duhet të marrin më tepër përgjegjësi, sa u takon veprimeve. Nuk luhet futboll vetëm në ujëra të cekëta, por edhe në thellësi. Nëse nuk e bën, nuk merr dot rezultat. Sulmuesit duhet të luanin më afër mbrojtjes së Kastrioti, jo të mbeste vetëm Eze. Leira duhet të afrohej më shumë. Luajti shumë i tërhequr”.
“Lojtar akademikë? Kam pretendimet e mia edhe unë. Humbëm disa dyluftime, sidomos për topin e dytë. Ishim larg lojtarëve kundërshtarë dhe kjo bëri që Kastrioti të kishte kohë të shkonte deri në fund. Ishte çështje vendosmërie e lojtarëve të qendrës së mesit të fushës”.
“Duhet të jepte kartonë pas faulleve të para, që t’i ndërpriste ato. Mua më shqetëson pjesë e vendosmërisë së lojtarëve të mi për të fituar duelet dhe për të zotëruar topin e dytë. Teknikisht mund të flas me skuadrën, pasi problemet janë të shumta. Në mënyrë akademike në sulm shkohet, sicc bëmë në pjesën e dytë. Eze një herë gjuajti me kokë, kurse më pas patëm një rast të pastër me Gashin. Duhet të jemi më të vendosur, sidomos në qendër të mesfushës. Ishim me dy lojtarë aty, jo si në fund”. /abcnews.al