Josa: Një pikë s’vlen me Partizanin, unë dhe lojtarët në provë deri në fund

schedule14:59 - 23 Prill, 2021

schedule 14:59 - 23 Prill, 2021

Mirel Josa, trajneri i Kukësit, para ndeshjes me Partizanin ka dalë para mediave dhe ka folur për shumë tema, mes tyre edhe për aleancat dhe motivimin e futbollistëve të tij. “Kur luan kundër Partizanit normal që ndeshja është e vështirë. Nuk mund të bëjmë shumë diferencim midis ndeshjeve, pasi kemi gabuar edhe në ndeshje që në letër kanë qenë shumë të lehta.

Duhet të kemi parasysh se si vijnë skuadrat në këtë ndeshje. Ne vijmë nga dy ndeshje deri sikur të mira, ku kemi marrë pikë. Besoj te vazhdimësia e skuadrës, në mënyrë që edhe ne të jemi të qartë çfarë do të bëjmë për të ardhmen”, u shpreh fillimisht trajneri kryeqytetas.

Barazimi? Nuk mund të thuhet para ndeshjes se do të jemi të kënaqur me një barazim. Të dyja skuadrat futen në fushë për të fituar ndeshjen, futbollistë janë të karikuar të triumfojnë. E njëjta pyetje m’u bë edhe para ndeshjes me Tiranën dhe një pikë nuk u bën punë fare skuadrave”.

Impenjimi? Nuk bëhet fjalë, çdo lojtar do tregohet profesionist dhe do të japë maksimumin. Duhet të tregojë mundësitë e veta që ka për të luajtur futboll, mundësitë e veta që ka për të qenë pjesë e kësaj skuadre në vazhdimësi”.

Aleancat? Kam qenë vetë në këto pozita përpara disa kampionateve. Mua më intereson serioziteti i lojtarëve të mi. Serioziteti individual i lojtarëve do të sjellë seriozitetin e skuadrës për sa i përket ndeshjeve në vazhdim. Nuk shikojmë nëse do i bëjmë keq një skuadre, apo mirë një skuadre tjetër. Nëse mendojmë kështu, atëherë nuk ka asnjë shenjë motivimi të futbollistëve në vazhdimësi”.

Të gjithë në provë? Unë e vë veten në provë personalisht pas çdo ndeshje. E kam thënë edhe herë tjetër, që të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për sa i përket qetësisë time dhe lojtarëve individualisht, për të vazhduar punën për ndeshjen tjetër. Futbolli kështu e ka, ndeshjet janë komplet prova që do të jepen për vazhdimësinë.

Për mua nuk ka asnjë problem, ne kështu e kemi. Jemi në provim gjatë gjithë periudhës që i kemi kundërshtarët përballë. Kështu ndodh edhe me të tjerë. Është shumë mirë kur je në provim. Objektivi im nuk është vetëm fitorja e skuadrës, por edhe t’i bëj të luajnë mirë lojtarët”, tha Josa në mbyllje të deklaratës së tij. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!