Josa: Me këtë futboll rivalizojmë këdo, kam vetëm një merak për sot

schedule18:20 - 8 Mars, 2021

schedule 18:20 - 8 Mars, 2021

Kukësi mori një pikë në transfertë kundër Vllaznisë dhe trajneri Mirel Josa duhet t’i japë vlerësimet maksimale portierit Dashamir Xhika, i cili ndali Demir Imerin nga pika e bardhë e penalltisë. Trajneri i verilindorëve, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh:

“Nuk mund të flas për faza të veçanta të lojës, ata i patën rastet, me penallti dhe një diagonal me Imerin. Më bëri përshtypje loja e skuadrës time, luajti siç kisha kërkuar. Qarkulluam topin dhe patëm ekuilibër. Në përgjithësi jam i kënaqur, përveç rasteve që dilnim para dhe nuk gjuanim. Vetëm një herë Ibraimi gjuajti në fund. Patëm edhe ne rastet tona, me kapitenin dhe Eze”.

“Nuk është problem se shënojnë vetëm dy lojtarë, ata atë punë kanë. Duhet të gjuajnë edhe të tjerët, Taipi, Trintsadze, apo edhe Gashi prej të cilit prisja më shumë. Vllazninë e patë si ishte vendosur në fillim, e keni parë edhe vendosjen tonë. Pas ndryshimeve doli përpara.

Aty patëm disa boshllëqe, edhe penallti erdhi për një pakujdesi. Nuk e di nëse ishte apo jo, nuk i futem atij diskutimi. Nuk mund të them se u rrezikuam. Siç na rrezikuan, i rrezikuam. Bëhet gjithë ai qarkullim topi, dilet para në pozicione goditëse dhe duhet të gjuanim të paktën 5-6 herë në pjesën e dytë. Nuk e diskutoj pjesën e parë”.

“Nuk mendoj për plane afatgjata, as për vete as për skuadrën. Në futboll ndodhin shumë gjëra, rrokullisen shpejt për mirë e për keq. Më intereson që skuadra të luajë si sot, për mënyrën e qarkullimit, mënyrën se si shikonte përpara dhe për ekuilibrin. Me këtë futboll jemi pretendent me këdo. Plane afatgjata nuk bëj, më intereson qetësia e skuadrës vetëm për ndeshjen e radhës”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!