Mirel Josa, trajneri i Kukësit, pas humbjes me Teutën foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport dhe vuri në dukje mungesën e personalitetit të skuadrës. “Cilësi thoni, ju, pasi cilësi thuhet kur çohet topi në rrjetë. Kemi probleme nga të dyja krahët, pasi nuk futen shumë në zonë. Kur Ibraimi luan sulmues, tërhiqet dhe e lë vetëm Eze.
E nisëm mirë lojën, por pësuam me vizitën e parë në portë. Aty më pas shihet forca jonë. Situata është problematike, këto janë alternativat tona në këto momente. Edhe sot humbëm si të dorëzuar. U vakëm pas golit, në vend të ishim më kërkues ndaj vetes. Është problem personaliteti, që nuk e kemi si skuadër”.
“Edhe kur kemi topin në këmbë ne bëjmë gabime elementare. Nuk kemi durim në qarkullimin e topit, sidomos në mbrojtje. Nëse shikoni golin e parë, tregohet kjo që thashë. Duhet të reagojmë si skuadër. Bëmë vetëm një goditje me Eze. Ishim të vakët, edhe kur luajmë nga krahët Eze gjendet i vetëm në zonë dhe me shpinë nga porta”. / abcnews.al