Kukësi mori një tjetër humbje, këtë herë ndaj Laçit. Trajneri Mirel Josa ka analizuar paraqitjen e skuadrës së tij, që i kishte mundësitë të shënonte sot dhe të merrte edhe ndonjë rezultat tjetër. Tekniku kryeqytetas, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ka deklaruar:
“Analizën e bëj edhe me ju. Mund të them se nuk është futbolli siç e mendojmë. Ia dhuruam Laçit sot fitoren. Ekuilibrat ndryshuan që kur ne pësuam golin e parë. Skuadra u mundua të qarkullonte topin, doli në pozicione shënimi dhe nuk i shfrytëzuam si duhet”.
“Nuk është çështje disnivel mbrojtje dhe sulm. Nuk po gjejmë stabilitet në mbrojtje. Ata mendojnë se luajnë vetëm në zonë, por duhet të mbulojnë edhe një kundër një kur u shkon kundërshtari. Duhet lojtarët të jenë më afër, të jenë më të përgjegjshëm. Është çështje përgjegjësie”.
“Nuk e kam menduar asnjëherë play-out. Kam menduar që të marrim sa më shumë pikë, por nuk po ndodh. Merreni me mend po të mos kishim fituar me Kastriotin dhe të mos kishim barazuar me Tiranën”.
“Laçi nuk na bëri presing në gjysmëfushën tonë. Po luanim me të njëjtat vendosje dhe u luajt lirshëm. Nga gabimet u krijua mungesë ekuilibri. Laçi ishte më i kujdesshëm. Kishim mundësi shënimi, por nuk ia dolëm. Duhet të jemi më të përgjegjshëm”.
“42 gola të pësuar? Me pretendimet e skuadrës është e papranueshme. Problemi më i madh është se sa më lehtësi i pësojmë golat, sa larg jemi me njëri-tjetrin”, tha në mbyllje të deklaratës trajneri i Kukësit, Mirel Josa. / abcnews.al