Gjashtë ndeshje pa fitore për Kukësin në Superiore. Nesër luhet sfida “shtëpiake” kundër Skënderbeut të vendit të fundit, që kërkon pikë për mbijetesën. Trajneri Mirel Josa flet për mediat rreth duelit kundër ekipit korçar, duke kërkuar reagimin e ekipit të tij.
“Rezultatet nuk ka nevojë t’i përmend, sepse i shikoni vetë që nuk janë ato që ne presim nga skuadra. Pavarësisht se luajmë me Skënderbeun që ka treguar nivel në rritje në periudhën e fundit, ne duhet të jemi shumë më të përqendruar për të mos trashur gabimet tona, që kanë qenë të pamasë gjatë kësaj periudhe.
Lojtarët, por edhe unë vetë, duhet të shohin se çfarë i bëri Skënderbeu Partizanit. Të vazhdojmë duke pasur vendosmërinë dhe durimin që duhet të kemi për ndeshjen. E përsëris edhe njëherë tjetër, nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.
Atmosfera nuk ka pse të jetë e keqe, janë edhe marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë që përbëjnë klubin. Këto janë marrëdhënie normale. Ka probleme të vogla, por besoj se do të zgjidhen. Unë ndryshimet i kam me pikatore. Do të mundohem të fus më të mirët, qoftë fizikisht qoftë mentalisht“, përfundoi trajneri i ekipit verilindor. /abcnews.al