Jorginho është një nga objektivat e Juventusit për mesin e fushës. Maurizio Sarri ka punuar me italo-brazilianin te Napoli dhe Chelsea, e cilëson si mesfushorin perfekt për stilin e tij të futbollit dhe dëshiron ta ketë në skuadër.
Rreth rikthimit të 28-vjeçarit në Serie A ka folur edhe agjenti i lojtarit. Joao Santos deklaron për Radio Kiss Kiss se nuk ka interesim konkret nga kampionët e Italisë dhe Jorginho është nën kontratë me “Blutë e Londrës”.
“Sarri nuk e ka telefonuar kurrë personalisht Jorginhon për t’i folur për interesimin e Juventusin. Mediat flasin, por ne nuk kemi pasur kontakte me Sarrin apo drejtorin Paratici. Nëse dy klubet do të gjejnë një akord, nëse do ndodhë ndonjëherë, vetëm atëherë mund të flasim më qartë.
Dihet që Sarri dhe Jorginho kanë një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin, kanë kaluar pesë vite së bashku dhe unë nuk e mohoj diçka të tillë, nuk jam hipokrit. Ama, dua t’u kujtoj të gjithëve se Jorginho ka edhe tre vite kontratë me Chelsea“, deklaron agjenti i mesfushorit. /abcnews.al