Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka folur në konferencë për shtyp para sfidës ndaj Skënderbeut. Numri një i stolit shkodran ka thënë se ekipi i tij udhëton drejt Korçës vetëm për tre pikë dhe se situata në grup është shumë e qetë dhe normale.
SITUATA – “Gjithçka është normale. Situata në ekip është e mirë dhe nuk kemi asnjë dëmtim. Megjithatë, për më tepër do të shohim edhe seancën e sotme që është e fundit, për të konstatuar situatën e të gjithë futbollistëve. Në radhët e ekipit ka optimizëm dhe shpresoj t’ia dalim me sukses”.
SKËNDERBEU – “Kjo është një ndeshje tjetër dhe nuk ka asgjë të përbashkët me atë të fazës së parë. Kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme dhe njëkohësisht të vështir. Këto dy takime kanë shumë ndryshime me njëri- tjetrin, por ajo që nuk ndryshon është se futbollistët e mi janë të inspiruar për të bërë më të mirën edhe këtë herë.
STRATEGJIA – “Mënyra e lojës nuk do të ndryshojë, por në minutat e fundit, ndoshta ndryshojmë ndonjë lojtar në formacionin bazë. Megjithatë ende nuk e kam vendosur përfundimisht.
OBJEKTIVI – “Unë nuk do ta shikoja në këtë aspekt. E rëndësishme për Vllazninë është të grumbullojë sa më shumë pikë, pavarësisht faktit nëse luan në fushën e saj apo në transfertë. Për ne vlejnë pikët dhe ngjitja sa më lart në tabelën e klasifikimit. Ne shkojmë vetëm për fitore”./abcnews.al