Vllaznia mposhti një ditë më parë Pogradecin në miqësore dhe trajneri Mirsad Jonuz është i kënaqur me atë që ekipi i tij ka dhënë në fushën e blertë. “Fillimisht më duhet të falënderoj Pogradecin që na mundësoi të zhvillonim këtë miqësore. Është një skuadër që e meriton të jetë në Kategorinë Superiore”, thotë fillimisht Jonuz, i cili e sposton vëmendjen tek ekipi i tij më pas.
“Sa i përket Vllaznisë dhe asaj që shfaqëm në fushë, mund të them që mbeta i kënaqur. Përgatitja fizike është në nivelet e duhura dhe këtë dua ta veçoj. Sa i përket lojës, natyrisht që është herët për të dalë në konkluzione.
Vetë procesi ku jemi nuk të lë shumë hapësirë që të flas më shumë. Ne jemi aktivë në merkato dhe pres të vijë një sulmues që na duhet shumë”, ka deklaruar Jonuz, i cili është i bindur që Vllaznia do të luftojë fort në Kupë dhe kampionat.
“Duke parë këtë kontingjent dhe afrimet që janë bërë, e them me bindje se ky ekip do të shkojë lart dhe ne luftojmë në dy aspekte, si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Në miqësoret në vijim, me Strugën dhe Bylisin, besoj se do të shihni në fushë një Vllazni, që do të luajë edhe më mirë”, mbyll deklaratën e tij, trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz. /abcnews.al