Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen kundër Laçit dhe trajneri i ekipit shkodran, Mirsad Jonuz, analizon përballjen në prononcimin e dhënë në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
NDESHJA – “Pjesën e parë luajtëm me kujdes, ajo ishte taktika jonë. Kishim plan të hapnim rezultatin në pjesën e dytë. Është fillimi dhe duhet të kemi përqendrim maksimal. Laçi luan në kundërsulme me tre sulmuesit e tij. Sot kishim dy futbollistë që erdhën në janar, Adili dhe Hristov. Është pak e vështirë deri sa të përshtaten. Në fund futëm Sidorenkon. Kishim raste në pjesën e dytë dhe mendoj se humbëm dy pikë”.
ACARIMI – “Unë jam i qetë dhe është normale të bësh presion. Ndonjëherë edhe presioni është gjë pozitive. Mendoj se ishte penallti, por ai është gjykimi i arbitrit. Do e shoh tani përsëri si rast. Normale, tifozët do të reagojnë po e panë që ishte penallti. Do ketë reagim, nuk është teatër.
Reagim i i drejtë? Futbolli është lojë për burra, unë nuk kam aktruar, nuk kam bërë teatër. Ishte reaksion i momentit. Edhe unë jam shembull, edhe unë luftoj për pikë. Nuk kam sharë, nuk kam ofenduar. Ishte reaksion, sepse luftojmë për pikë. Çdo pikë ka rëndësi për ne”.
HRISTOV – “Unë e shoh ekipin si kolektiv, jo si individë. Besoj se do të bëjë më të mirën. Duhet të kemi durim, të gjithë lojtarët duhet të përshtaten në ekip”.
PËRGATITJA E NDESHJES – “Për fat të keq, ne ushtrohemi në një stadium që nuk është i mirë për ne. Kjo është pika e dobët e Vllaznisë. Kemi biseduar me drejtuesit dhe kryetarin e bashkisë për të ndërtuar një fushë stërvitje. Kanë reaguar pozitivisht, mendoj se do të jetë gati në verë. Në Shkodër ka gjithmonë reshje të shiut”. /abcnews.al