Mirsad Jonuz, trajneri i Vllaznisë, doli sot para mediave dhe foli për ndeshjen e radhës me Kukësin, në shtëpi. Ai tregoi gjendjen në ekipin e tij dhe vlerësoi kundërshtarin, që kryeson Kategorinë Superiore për momentin. Një fitore vlerësohet shumë prej tij dhe pret që skuadra të harrojë rezultatet e mira të marra së fundmi dhe të mendojë vetëm për Kukësin. Gjithashtu ai flet edhe për zërat që e lidhin atë me Partizanin.
GJENDJA AKTUALE – “Mund të them se situata është shumë e mirë. Kemi marrë shtatë pikë në tre përballjet e fundit, duke përfshirë edhe Teutën. Tani duhet që të përqendrohemi te takimi i nesërm ndaj Kukësit. Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Do të luajmë me një ekip shumë të mirë, me lojtarë shumë të mirë. Ne duhet që të luajmë shumë seriozisht ndaj kësaj skuadre. Para se të futemi për të luajtur këtë takim, duhet që të harrojmë çdo gjë. Vetëm të përqendrohemi tek kjo skuadër”.
RIVALI I RADHËS – “Çfarë mund të them për Kukësin? Kemi zhvilluar edhe një takim me këtë skuadër në Elbasan. I njoh të gjithë lojtarët dhe të gjithë kualitetet që kanë. Mund të kenë ndonjë mungesë, por unë e di mirë sesi e qarkullojnë topin, sesi luajnë ato. Megjithatë mund të them se edhe skuadra jonë është shumë e fortë. Kam folur edhe me lojtarët, që të japim maksimumin dhe ta shijojnë këtë takim”.
EKIPI IM – “Për Vllazninë thjesht dua t’i uroj lojtarët e mi për atë çfarë kanë dhënë. Një problem që e kemi tani, dihet që është mungesa e Hygorit. Po mundohemi që të aktivizojmë lojtarët e tjerë dhe të marrim më të mirën prej tyre. Orari i takimit të nesërm mund të mos jetë i mirë për tifozët tanë, por për lojtarët është një orar i përshtatshëm. Për më tepër që edhe koha është e mirë. Edhe stërvitjen e kemi zhvilluar në atë orë. Po ashtu i bëj sërish thirrje tifozëve për të na ndjekur”.
FITORJA NË SHTËPI – “Ne besojmë për të arritur tek më e mira. Duke shikuar edhe klasifikimin e ekipeve, gjithçka është e hapur. Një fitore të ngre dhe një humbje të zbret në renditje. Nga Skënderbeu, tek Kukësi në krye, diferencat janë të vogla. Ne duhet që ta fitojmë këtë takim. Kemi një shans shumë të mira dhe kjo do të na ndihmojë që të mbyllim këtë pjesë të sezonit në një pozicion të kënaqshëm. Në momentin që ne marrim nesër 3 pikë, edhe skuadra do ta ketë më te thjeshtë me Partizanin. Barazimi, i kënaqshëm? Për mua është shumë e rëndësishme që të luajmë mirë, të luajmë mirë taktikisht dhe pse jo të besojmë për një fitore”.
PARTIZANI – “Unë kam nisur një projekt serioz në Shkodër. Pavarësisht probleme që kemi patur, kemi arritur që të gjithë së bashku t’ia dalim dhe do të vazhdojmë që të dalim sërish me sukses deri në fund. Partizani më do? Unë nuk kam informacion dhe asnjë kontakt direkt për këtë”, ka përfunduar Jonuz. /abcnews.al