Goli fantastik i Ndriçim Shtubinës i dhuroi tre pikë të arta Vllaznisë. Ekipi shkodran fitoi 0-1 në Korçë përballë Skënderbeut vendas dhe trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz analizoi ndeshjen në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
FITORJA – “Arritëm një fitore tepër e rëndësishme. Luajtëm të mbyllur, kemi bërë ndeshje të mira në shumë ndeshje. Skënderbeu ka tre sulmues të mirë dhe nëse do iu linim hapësira ata bëheshin shumë të rrezikshëm”.
KËSHILLA – “Lika dhe Shtubina janë lojtarë të zgjuar dhe me eksperiencë, ndaj i vendosa përpara. Në pjesën e parë kishim 2-3 shanse për të shënuar. Edhe Skënderbeu kishte shanse për të shënuar. Në pushim u thashë lojtarëve që të ruanin të paprekur portë dhe se do të kishim mundësinë tona dhe do të ktheheshim në shtëpi me tre pikë”.
MARKU – “Në Gjirokastër luajti Marku në të majtë, por sot luajti në të djathtë për të mbyllur kërcënimin e Bregut. Është lojtar shumë i zgjuar dhe e ka bërë shumë mirë rolin e sotëm. Edhe Gligorovin gjithashtu e vendosa në mesfushë, ka po aq kualitet sa dhe Marku”.
NDESHJET SHTËPIAKE – “Është një problem psikologjik. Lojtarët vuajnë faktin që luajnë në Shkodër, pasi pjesa më e madhe kanë qenë te kjo skuadër kur ka rënë nga kategoria. Pak rëndësi ka për mua, nëse do të marrim më shumë pikë në transfertë apo në shtëpi. Tani kemi ndeshjen me Kukësin, që është skuadra më e mirë në Shqipëri”. /abcnews.al