Joe Biden u përpoq të bashkonte amerikanët, por deri tani ka dështuar

schedule10:30 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 10:30 - 7 Dhjetor, 2021

Nga Harry Enten “CNN

Presidenti Joe Biden zhvilloi një fushatë elektorale me premtimin bazë bashkimin e amerikanëve të ndarë sipas linjave partiake. Por kur po mbushet gati 1 vit nga fillimi i punës së administratë e tij, Biden nuk ka arritur të ndryshojë prirjen afatgjatë të polarizimit të fortë politik që ekziston në Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht ai ka vlerësimin më të ulët në mesin e përkrahësve të Partisë Republikane në opozitë, që ka pasur ndonjëherë një presidencë në të paktën 68 vitet e fundit. Ndërkohë ka një nga vlerësimet më të larta të miratimit të punës së tij në mesin e mbështetësve të Partisë Demokratike.

Sipas sondazhit më të fundit të Gallup, puna e deritanishme e Biden vlerësohet nga vetëm 6 për qind e republikanëve. Dhe ky sondazh nuk është një përjashtim. Sondazhe të ngjashme nga Fox News, Marist College dhe Quinnipiac University, përcaktojnë një normë vlerësimi  midis 3 deri në 9 për qind në radhët e anëtarëve të Partisë Republikane.

Për ta vendosur këtë shifër në perspektivë, hidhuni një sy vlerësimeve mbi presidentët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në fillim të dhjetorit, dhe në vitin e tyre të parë si presidentë.

Rezulton se 10 presidentët e zgjedhur (për shembull jo Harry Truman në vitin 1945, Lyndon Johnson në vitin 1964 apo Gerald Ford në vitin 1974), kishin një vlerësim mesatar të miratimit të punës së tyre prej 41 për qind në mesin e palës kundërshtare.

Ai i Biden është plot 35 për qind më poshtë. Vlerësimi shumë i ulët i Biden në mesin e republikanëve, ka shumë kuptim kur shohim prirjen e presidentëve të fundit në SHBA. Tre vlerësimet më të ulëta në sondazhe për presidentin e palës tjetër para ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden, kanë ndodhur gjatë 4 presidentëve të mëparshëm, dhe tendenca brenda kësaj periudhe kohore ka qenë në rënie.

Këtu përfshihet Bill Clinton (23 për qind), Barack Obama (18 për qind) dhe Donald Trump (7 për qind). (Përjashtim i dukshëm ishte George W.Bush, që kishte një popullaritet në masën 77 për qind pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001).

Nga ana tjetër, vlerësimi i miratimit të Joe Biden në mesin e demokratëve arriti në 90 për qind në sondazhin më të fundit të Gallup. Kjo shifër është 6 pikë mbi mesataren prej 84 për qind, që kanë marrë më herët presidentët nga partitë e tyre. Po ashtu ndodh që ky të jetë vlerësimi i dytë më i lartë i popullaritetit për një president në mesin e partisë së tij.

Vetëm George W.Bush, me 98 për qind, ishte më mirë sesa Biden. Hendeku midis vlerësimit të Biden nga partia e tij, dhe asaj në partinë opozitare është 84 për qind. Kjo diferencë është deri tani më e madhja që ka regjistruar ndonjëherë Gallup gjatë vitit të parë të një presidence. Hendeku mesatar prej 43 pikësh, midis përqindjes së secilës parti për punën e një presidenti përpara Bidenit, ishte rreth gjysma e asaj që shohim sot me këtë të fundit. Pra edhe presidenti aktual, nuk ka qenë në gjendje t’i shpëtojë realitetit të ri të politikës amerikane, kur bëhet fjalë për hendekun në lidhje me mënyrën se si e sheh atë partia politike rivale.

Tre diferencat më të mëdha në vlerësimin e punës së tij nga partitë para administratës Biden, ishin gjithashtu në 3 nga 4 presidentët para tij, dhe prirja ka qenë drejt hendeqeve më të gjera brenda asaj periudhe kohore. Këto përfshijnë Clinton (55 pikë diferencë), Obama (64 pikë diferencë) dhe Trump (74 pikë diferencë).

Hendeku i madh sa i përket miratimin dhe mosmiratimit të punës së Joe Biden midis palëve, mund të lidhet thuajse direkt me pikëpamjet partiake mbi ekonominë e vendit. Ekonomia është tashmë çështja nr.1 për votuesit amerikane, dhe demokratët dhe republikanët e shohin atë përmes lenteve shumë të ndryshme.

Indeksi i Besimit të Konsumatorit i realizuar nga Universiteti i Miçiganit, është shumë domethënës. Tani për tani, republikanët kanë një shkallë mbështetje prej 37.8 për qind. Ky është niveli më i ulët i regjistruar midis çdo partie në çdo muaj që nga viti 1980, kur nisi të matet ky indeks.

Shifra më e ulët nga çdo parti politike, ishte sërish 48.3 për qind nga republikanët gjatë kulmit të krizës financiare në marsin e vitit 2009. Gjatë atij muaji në vitin 2009, demokratët kishin një mbështetje në masën 64.5 për qind për punën e qeverisë së tyre. Pra diferenca ishte 16.2 për qind, që është relativisht e vogël.

Këtë muaj, demokratët kishin një mbështetje në masën 88.4 për qind për Biden. Dhe kjo krijoi një hendek prej 50.6 për qind, ose rreth 3-fishi i hendekut të vitit 2009. Një hendek kaq i madh është jashtëzakonisht i rrallë, dhe në fakt ka ndodhur vetëm kohët e fundit.

Në gushtin e vitit 2018, kishte një hendek prej 50.8 për qind midis demokratëve dhe republikanëve në indeksin e ndjenjës së konsumatorit. Fakti që demokratët dhe republikanët e shohin kaq ndryshe diçka si ekonomia, nuk duhet të jetë befasues duke pasur parasysh gjithçka që dimë.

Siç e kam theksuar në muajin nëntor, pikëpamjet shumë negative të demokratëve për Partinë Republikane në përgjithësi dhe anasjelltas, janë në nivelin e tyre më të lartë në të paktën 50 vitet e fundit. Republikanët i japin Biden shumë më pak merita mbi situatën ekonomike sesa demokratët.

Megjithatë, është më se i dukshëm fakti që Biden, nuk mundi ta ndalte thellimin e ndarjeve politike. Në dallim nga shumë figura politike kohët e fundit, ai u përpoq që t’i bashkonte amerikanët. Por deri më sot ka dështuar në këtë përpjekje. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al