Jo vetëm pleh kimik, Karamuço zbulon lëndët që mund të përzihet kokaina: Dyshohet se në Shqipëri ka hyrë në disa forma

schedule20:11 - 25 Nëntor, 2022

schedule 20:11 - 25 Nëntor, 2022

Rreth 430 kilogramë kokainë, e cila ka qenë e fshehur në 24 tonë pleh organik artificial, është sekuestruar në fshatin Farkë e Madhe në Fier të Shqipërisë, u tha në konferencën për media të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), të mbajtur më 25 nëntor në Tiranë. Kjo kokainë ka ardhur në Shqipëri nga Kolumbia, duke kaluar transit nëpër dy porte, të Greqisë dhe Malit të Zi. Vlera e saj, nëse do të dilte në treg, do të ishte rreth 40 milionë euro. Hetimet janë realizuar mes autoriteteve shqiptare dhe malazeze, si dhe në bashkëpunim me agjenci të huaja ligjzbatuese, dhe kishin nisur në korrik të këtij viti. Policia malazeze tha të premten se ky aksion në Mal të Zi u krye me kodin “Port”, ndërsa në Shqipëri me kodin “Konsistenca”.

I ftuar në “Radarin Informativ”, profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka zbuluar detajet se si kokaina mund të ketë mbërritur në Shqipëri edhe më parë duke u përzier me substanca të tjera.

Sipas Karamuços, kokaina mund të përzihet me gipse, plehra kimik, pllaka, letra për shtroje dyshemesh, shishe vere apo dhe qymyr.

“Në banane nuk ngurtësohen dot. Me gipse bëhen shumë mirë. Se janë kthyer në vepra arti kemi shembullin e Italisë që kanë hyrë dhe më pas është zbuluar kokaina. Me plehra kimik. Me pllaka, janë futur këtu. Në letra dhe në shtroje që po të vihen në solucione shkrihen dhe më pas del kokaina. Në shishe vere. Edhe me qymyrin. Këta i heqin edhe erën nuk i gjen dot as qeni. Këto kamoflime bëhen për të kaluar lëndën dhe më pas përpunohet këtu.” tha Karamuço.

Ndërhyrja e realizuar në bashkëpunim me autoritetet malazeze, është finalizim i një hetimi disa mujor. Përgjatë kësaj kohe, të gjitha lëvizjet e ngarkesës, që nga momenti që ajo ka hyrë në territorin shqiptar, janë mbajtur nën mbikqyrje, për të bërë të mundur zbulimin e rrjetit të përfshirë në këtë linjë trafiku. Prokurori Adnan Xholi, tha sot se të gjithë pjesmarrësit, që nga financuesi, organizatorët dhe pjestarët e tjerë me role të ndryshme, në total, 10 persona, janë arrestuar. Në kërkim është një shtetas kolumbian, i cili do të angazhohej për të bërë të mundur ndarjen e kokainës nga plehu kimik.

Sinjalizimi për sasinë e drogës, kishte mbërritur nga DEA amerikane. Prokuroria shpjegoi se në muajin maj 2022, ngarkesa është nisur nga Kolumbia “nëpërmjet një anije transporti, për në portin e Pireut/Greqi, dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022, e prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022”.

Ngarkesa me “pleh kimik” është zhvendosur në mjedise të ndryshme, në disa qytete të vendit, për t’u grumbulluar më pas në Frakull të Madhe, në zonën e Fierit, aty ku do të bëhej dhe ndarja e kokainës. “Ne kemi sekuestruar 24 ton, ngarkesë, aq sa është futur në Shqipëri”, deklaroi prokurori Xholi. Banesa ku është gjendur droga e fshehur në thasët me pleh, I përkiste ish kreut socialist të komunës Viktor Çervanaku, aktualisht i punësuar në një nga ndërmarrjet e sistemit energjitik në Tiranë. Ka qenë vëllai i tij, Zenel Çervanaku, ai që kishte porositur ngarkesën porositës i ngarkesës, pasi në janar të këtij viti kishte rregjistruar në emrin e tij një kompani që kishte ndër të tjera si aktivitet edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë. Ndërsa si financues i ngarkesës rezulton të jetë Nikolin Gjolena. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!