Jeta kulturore në kryeqytet, Bashkia dhe Ministria e Kulturës marrëveshje bashkëpunimi

schedule13:50 - 13 Maj, 2018

schedule 13:50 - 13 Maj, 2018

Tirana sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, po kthehet në qendër të kulturës europiane.  Kryebashkiaku Veliaj nënshkroi një memorandum bashkëpunimi për shtimin e jetës kulturore me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Shtimi i aktiviteteve artistike e kulturore në kryeqytet janë thelbi i marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës dhe Ekphrasis Studio.

Kjo marrëveshje synon përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave për artin publik, me qëllim përmirësimin cilësisë së jetës artistike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

 “Po bashkëpunojmë për t’u siguruar që Tirana, përveç infrastrukturës për rrugët, shkollat, kopshtet, çerdhet, pemët, trotuaret, të jetojë edhe me art publik, me hapësira që çlirojnë energji të mirë për qytetin. Ka ardhur koha që të kemi një politikë të mirëfilltë, që të mos varet nga një kryetar bashkie apo një ministër kulture, që Tirana të ketë një manual të mënyrës se si funksionon arti publik dhe se si qyteti ushqen nevojën për art publik”.

“Qëllimi i projektit është të vendosë bashkëpunimin institucional, siç kemi në rast Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës, e gjithashtu, të sjellë në vëmendje dhe rritur ndërgjegjësimin për artet publike në qytet, si dhe për të angazhuar komunitetet për të krijuar një qytet akoma më të bukur dhe të këndshëm me pjesëmarrje të gjithë qytetarëve. Në fakt, me Bashkinë e Tiranës kemi dy vjet që po japim modelin më të mirë se si dy donatorët më të rëndësishëm, por edhe politikëbërësit kulturorë, pra Ministria e Kulturës dhe Bashkia e kryeqytetit, janë duke i dhënë një stimul shumë të madh skenës së pavarur”.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se falë këtij bashkëpunimi janë financuar shumica e ideve që kanë sjellë pasurim të jetës kulturore dhe artistike. Sipas Veliajt,Tirana po kthehet në një qendër të kulturës rajonale.

“Fakti që jemi kthyer jo vetëm në epiqendër të Shqipërisë, por gjithnjë e më shumë po shesim bileta për opera e teatër te qytetarët e Kosovës, Maqedonisë, të jugut të Serbisë apo të Malit të Zi, praktikisht po e kthejmë Tiranën në një kryeqendër të kulturës. Nuk besoj se do jetë e largët dita ku bashkë me ministren do konsiderojmë seriozisht të aplikojmë Tiranën si një kryeqytet i kulturës në Europë”.

Ndërkaq, në 1 dhe 3 Qershor, në sheshin Skënderbej, Tirana do të mirëpresë në koncert këngëtarët Ermal Meta dhe Rita Ora./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!