“Jeta e dytë” e foshnjës/ Fëmija dy muajsh kreu në QSUT një ndërhyrje të vështirë në zemër

schedule15:54 - 5 Mars, 2025

schedule 15:54 - 5 Mars, 2025

Është vetëm 3 muajsh, por mund të thuhet me plot gojën që ka kaluar peripeci të madhe. Duket një mrekulli, por Braneli rreth një muaj më parë  i shpëtoi jo pak por, mbi 10 arresteve kardiake në një ndërhyrje të vetme kirurgjikale.

Sot është në gjendje shumë të mirë shëndetësore, por vetëm javë më parë mbërriti në Reanimacionin Pediatrik në QSUT në gjendje kritike për jetën, me një problematikë të rëndë kardiake, ku i’u nënshtrua operacionit dhe falë mjekëve që bënë mrekullinë sot lodron në duart e nënës.

“Doktori nuk na dha fare shpresa për jetën, ishte në gjendje kritike. Nuk kishim shpresa as ne, as doktorët. Zoti madh bëri mrekulli”, tregoi nëna Lubjana Dumani.

“Ne e kuptuam se filloi të qaj, të grindej. Në Peshkopi s’na thanë gjë edhe e sollëm tek privati njëherë, ata na nisën tek urgjenca na thanë që s’është mirë. Direkt e futëm në sallë pa bërë analiza se nuk kishte kohë”, u shpreh babai, Bledar Dumani.

Braneli problemin në zemër e kishte të lindur, por, iu desh ta zbulonte disa javë, pasi kishte ardhur në jetë.

“Fëmija u paraqit në reanimacionin e Pediatrisë, në një gjendje shumë të rënduar gati në insuficiencë kardiake shumë të rëndë, me një historik gati prej 2 muajsh me vështirësi në frymëmarrje, mezi pinte dhe i lodhur. Menjëherë u krye ekografia ku u diagnostikua me një kardiopati të lindur e rrallë. Një membranë në një nga dhomat e zemrës, e cila tregonte gjithë punën dhe hemodinamikën e zemrës”, tha Numila Maliqari.

Sipas Kardiokirurgut Altin Veshti që kreu ndërhyrjen në zemër, rasti i Branelit është i veçantë dhe jashtëzakonisht i rrallë.

“Ky rast është unik në gjithë karrierën time sepse ka ardhur në gjendje shumë të rënduar në Pediatri. Bebi është transferuar për gjysmë ore nga  pediatria në shërbimin e Kardiologjisë. Operacioni nuk ka zgjatur shumë, por, dëmet ishin bërë aq të mëdha saqë vështirësitë që pati ky fëmijë për të dal nga salla e operacionit kanë qenë shumë të mëdha. Mund të them mbi 10 herë zemra ka sjellë arrest, e kemi mbaj mbi 2 orë me masazhe…shpresat tona kanë qenë jot ë larta për shkak të problemeve në zemër dhe mushkëri. Është unik dhe i rrallë, në jetën time kam kryer vetëm dy operacione të tilla”, tha ai.

Sot vogëlushi gëzon shëndet të plotë, me prindërit e tij mirënjohës, ndërsa ne i urojmë jetë të gjatë Braneli i mrekullisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!