Jepet masa e sigurisë për “dajën”

schedule13:11 - 30 Prill, 2019

schedule 13:11 - 30 Prill, 2019

Gjykata për Krimet e Rënda dha këtë të martë masën e sigurisë për të arrestuarin e gjashtë në lidhje me grabitjen e Rinasit. Gjykatësi Bid Ndreca vendosi masën “arrest me burg” ndaj Ragip Hajdinit.

50-vjeçari nga Kosova, i përmendur mes anëtarëve të bandës me emrin “Daja”, u zbulua pas rrëfimeve të të penduarit Alkond Bengasi. Ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por nuk ka pranuar të flasë.

Mirëpo gjatë seancës së sotme, Hajdini ka thënë se nuk ka lidhje me grabitjen e Rinasit. Ai u shpreh gjithashtu se disponon prova që ishte duke ngrënë drekë diku tjetër në momentin që ka ndodhur grabitja.

50-vjeçari ka kërkuar ballafaqim me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Alkond Bengasin. Hajdini ka thënë gjithashtu se ka qenë i pranishëm në varrimin e Admir Murataj, i cili u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit mes grabitësve të rinasit dhe policisë më 9 Prill.

Ragip Hajdini dyshohet të jetë personi që ka siguruar furgonin që u modifikua në Elbasan me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Gjithashtu sipas burimeve, kosovari sëbashku me Admir Muratjan dyshohen që të jenë edhe ata që kanë iniciuar grabitjen.

Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se gjurmët e parave janë ndjekur deri tek varrezat e Tapizës, ndërsa më pas janë zhdukur pa lënë gjurmë pasi rrugët nuk kanë kamera sigurie.

Në seancën e sotme mësohet se Oltian Veseli ka ankimuar vendimin që u mor para disa ditësh për arrest me burg pa afat. Kjo masë u vendos edhe për Saimir Çelën, Renaldo Sulën dhe Alkond Bengasin./abcnews.al