Jep dorëheqjen Sekretari i Jashtëm i Britanisë

schedule16:21 - 9 Korrik, 2018

schedule 16:21 - 9 Korrik, 2018

Plani për daljen nga Bashkimi Europian po fut në krizë qeverinë britanike. Personi i konsideruar si “fytyra” e procesit të Brexit, ministri i Jashtëm, Boris Johnson, ka dhënë dorëheqjen për shkak të përplasjeve me kryeministren May.

Boris Johnson ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm të Britanisë në një kohë kur kriza politike në lidhje me strategjinë e daljes nga BE-ja është bërë më e fortë. Johnson është anëtari i dytë i kabinetit qeveritar që jep dorëheqjen brenda pak orësh, pas asaj të sekretarit për procesin e Brexit.

Largimi i tij i ka paraprirë fjalimit të kryeministres Theresa May në Parlament, në lidhje me planin e saj për daljen nga BE-ja, që ka acaruar shumë konservatorë. Në një deklaratë për shtyp, zyra e zonjës May ka falenderuar zotin Johnson për punën e tij dhe ka deklaruar se zëvendësi i tij do të njoftohet së shpejti.

Duke komentuar lajmin, redaktorja politike e BBC, Laura Kuensberg është shprehur se dalja nga loja e Johnson përveç se i ka hapur telashe kryeministres, ka gjasa të kthehet në një krizë të fortë politike. Sipas Kuensberg, ai nuk ishte vetëm një ministër i kabinetit qeveritar, por “fytyra” e fushatës së Brexit gjatë referendumit të vitit 2016 dhe largimi ka gjasa të shkaktojë spekulime për një betejë për lidership.

Më herët gjatë ditës, David Davis, zyrtari i ngarkuar me menaxhimin e negociatave me BE-në, dha dorëheqjen për shkak të qasjes më të butë që May zgjodhi ndaj Brukselit. Davis, por jo vetëm, e konsideroi planin e kryeministres një tradhti ndaj referendumit popullor të dy viteve më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!