“Jep dorëheqjen”, Manastirliu-Berishës: Po mbytesh në burgun e hipokrizisë tënde, ktheve spitalet në kioska

schedule16:46 - 9 Qershor, 2022

schedule 16:46 - 9 Qershor, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, debatuan gjatë seancës së sotme plenare. Akuzave të ish-kryeministrit se ka keqmenaxhuar situatën e pandemisë, ministrja e Shëndetësisë i është përgjigjur duke e quajtur hipokrit. Ministrja tha se Berishës nuk i takon të flasë për shëndetësinë pasi nuk ka bërë asnjë investim në kohën kur ishte në qeveri, madje sipas saj i kishte kthyer spitalet në kioska.

“Çfarë hipokrizie. Po mbytesh në burgun e hipokrizisë tënde dhe më vjen shumë keq, por kur flet ti për shëndetësinë, kur flet ti që në 8 vite qeverisje nuk bërë një qendër shëndetësore, nuk bleve një ambulancë, në 8 vite të qeverisjes tënde i bëre spitalet kioska ku shiteshin pizhama. Në 8 vite të qeverisjes tënde ti u vure kolegëve të tu çimka për të kuptuar atë që nuk kuptoje dot se nuk e dije nga të vinte e keqja. Fol me kolegët e tu të kuptosh. Para se të flasësh për shëndetësinë dhe për vdekjen se vetëm ty mund të të ngazëllejë vdekja, ke për t’u përgjigjur për atë çfarë ti je tashmë me damkë, me damkën e non gratës dhe kur të vish këtu të flasësh për shëndetësinë dhe të marrësh nëpër gojë njerëz që janë përkushtuar në punë e tyre dhe po bëjnë edhe ato që nuk i bëre ti. Po të kishe bërë ndonjë gjë zotrote nuk do ishim sot duke bërë dhe ato që ti nuk bëre dhe duke bërë edhe më shumë seç bëre jo vetëm ti, por edhe seç është bërë në 30 vite. A ka më të madhe hipokrizi se sa të gëzosh për vdekjen. Ty vdekja nuk të bën përshtypje. Nuk të bën përshtypje vdekja ty sikurse nuk të bën përshtypje vdekja e të pafajshme në Gërdec. Për sa kohë je një hipokrit dhe nuk të shkon as të flasësh për shëndetësinë dhe aq më pak të shkon të flasësh si u menaxhua pandemia. Kur flet për fatalitetet fjala ka shumë vlerë, por më shumë vlerë se fjala kanë faktet dhe ajo çfarë të vret Sali janë faktet dhe e vërteta. E vërteta dhe për fatalitet që kanë ndodhur për fat të keq jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën tregojnë se Shqipëria e ka përballuar pandeminë me dinjitet dhe duke u përgatitur e siguruar gjithë mbështetjen e stafeve mjekësore dhe garancinë për qytetarët shqiptarë. Kur të vish këtu dhe të flasësh herë tjetër fol me fakte dhe mos na bëj këtu hipokritin se të kanë parë e të njohin qytetarët shqiptarë, edhe përtej qytetarëve shqiptarë të njeh e gjithë bota sepse prandaj të kanë quajtur non grata”, u shpreh Manastirliu. 

Berisha akuzoi qeverinë për fatalitetet në pandemi.  Sipas tij ministrja se ka dhënë tendera sekretë gjatë pandemisë, ndaj dhe sipas tij, ajo duhet të kishte dhënë dorëheqjen.

“Me shumë të drejtë shtroni pyetjen, çfarë do ti Sali në parlament? Përgjigja ime është një dhe vetëm një. Unë do të vij këtu dhe do të vij e nuk mungoj sepse këta qeveritarë në çdo fjalë që thonë, vetëm ju mashtrojnë. Së dyti këta ministrat me kreun e tyre në çdo firmë që hedhin vetëm ju vjedhin. Atëherë, nuk mund të mos jem unë këtu. Ftoj të shtojë pyetjen vetës në rast se rrogëtar, familjar, pensionist, a ka ndjerë ndonjë përpjekje të vërtetë për të lehtësuar dhimbjet e mëdha që shkaktoi pandemia, dhimbjet e mëdha me rritjen stratosferike të çmimeve. Pandemia mori në këtë vend më shumë jetë se në çdo vend tjetër të Europës. Këta që janë pas shpinës sime këndojnë sukses mbi vdekje. Përkundrazi, çmimet janë rritur këtu më shumë se në çdo vend tjetër të Europës.

Zgjidhja e vetme është zgjidhja komuniste e bordeve që u pinë gjakun konsumatorëve shqiptarë. Duman mos më pre fjalën! A e dini që janë rritur me 48% eksporti i prodhimeve bujqësore serbe këto 4 muaj. Ju që flisni se janë rritur eksportet, pyesni në Myzeqe sa fermerë kanë therur lopët e racës. Pyesni pronarët e serave, që po u falimentojnë, por për u ata nuk ekzistojnë, për ju janë qenie vetëm për t’i vjedhur. Prandaj jam këtu për ti bërë thirrje shqiptarëve të ngrihemi sepse siç kanë këta mungesë totale ndjeshmërie ndaj dhimbjeve tuaja, vuajtjeve tuaja, sakrificave tuaja nuk mund të kemi ne mungesë ndjeshmërie ndaj këtyre akteve. Qesh kjo mbrapa paçka se vendi ka regjistruar 20 mijë viktima. Nuk qeshet zonjë. Duhet të kishe dhënë dorëheqjen… Po të kishe integritetin minimal njerëzor duhet të kishe dhënë dorëheqjen 5 herë dhe duhet të kishe shkuar tek Dumanët atje ku e ke vendin se ke bërë tendera sekrete në kulmin e pandemisë. Lëre tani mos fol. Mos më ndërprit”, tha Berisha.

E menjëhershme ishte edhe replika e Manastirliut e cila u shpreh see Berisha gjatë qeverisjes së tij nuk investoi në shëndetësi.

/abcnews.al