“Jep dorëheqjen!” Duma-Çuçi përplasen në parlament për vdekjen e Ilvi Metës: Çdo gjë është e filmuar

schedule17:40 - 9 Maj, 2022

schedule 17:40 - 9 Maj, 2022

Deputetja demokrate Grida Duma dhe ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi janë përplasur në parlament për rastin e vdekjes së Ilvi Metës në ambientet e Komisariatit në Kavajë.

Ndërsa i përgjigjej akuzave të ngritura nga zonja Duma për rastin në fjalë, ministri kërkoi që të mos bëhet retorikë politike me rastin por të pritet përfundimi i hetimeve. Më pas, me përfundimin e hetimeve, shtoi ai, nëse opozita ka ende dyshime mund të bëhet edhe hetim parlamentar.

Për ministrin çdo gjë që ndodhi atë ditë që nga arrestimi i të riut e deri tek burgosja është e filmuar dhe filmimet janë tek Avokati i Popullit.

“Për rastin kanë qenë edhe dy përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe kanë qenë në inspektim në dhomat e ndalimit të kom të Kavajës. Ato dhoma, në raport thuhet se janë plotësisht në përputhje me standartet ligjore.

Të gjithë bashkë të përpiqemi të largohemi nga kjo retorikë, sepse nuk i shërben Shqipërisë. I ftoj deputetët që pasi të mbarojnë hetimet, të bëjnë hetim parlamentar nëse nuk binden që ajo ngjarje nuk ka të bëjë me asnjë nga aludimet që ju bëni. Akuzoni shumë rëndë struktura të policisë së Kavajës sikur janë kriminelë e vrasës.

Ta lëmë pas këtë retorikë të vjetër. Ju si përfaqësuese relativisht e  re e këtij parlamenti, të jeni në pararojë të shkëputjes nga kjo retorikë. Janë dy mjekë ligjorë që kanë kanë bërë raportin…Neglizhencë fatkeqe për të ndjerin Meta, janë të filmuara, çdo sekuencë që nga momenti kur i ndjeri është ndaluar nga policia me vendim gjykate…Ju ftoj të shihni filmimit, i keni te raporti i avokatit të popullit,” tha ndër të tjera Çuçi.

Deputetja demokrate kërkoi dorëheqjen e ministrit Çuçi. abcnews.al/