Jeni në një lidhje toksike? Sociologu: Pak xhelozi ndikon mirë në çift, teknologjia është një faktor negativ

schedule11:04 - 21 Qershor, 2022

schedule 11:04 - 21 Qershor, 2022

Sociologu Gëzim Tushi, aktivistja Neda Balluku dhe ish miss-i Silvana Bushati ishin të ftuar në”Abc-ja e mëngjesit”, ku folën për kontrollin në marrëdhëniet në çift. Sjellja kontrolluese mund të përfshijë një sërë veprimesh të ndryshme por ata u ndalën te ajo që dëgjojnë rëndom në përditshmëri.

“Ku je?”, është padyshim fjala që dëgjojmë më së shumti, sidomos në një lidhje. Neda Balluku theksoi se dëshira për të ditur vazhdimisht se ku ndodhet partneri/ja vjen si pasojë e pasigurisë që ndjejnë për personin që kanë në krah. Nga ana tjetër, Silvana theksoi se duhet kuptuar limiti mes kësaj.

Sipas saj: “Duhet pak interes. Nëse nuk më pyet ‘si je’ apo ‘ça po bën’ gjatë ditës, do të dyshoja nëse ka interes. Pastaj nëse bëhet gjatë gjithë kohës ‘ku je’ dhe ‘pse je’, është e rëndomtë në Shqipëri.” Ndërsa sociologu tha se xhelozia është e rëndësishme në një marrëdhënie nëse nuk tejkalon kufijtë.

“Raportet në çift, mënyra se si tregojnë interes pa pësuar ndryshime të mëdha dhe një faktor që e ka komplikuar është teknologjia. Përmes saj kemi kontroll të drejtpërdrejtë ndaj partnerit tonë. Lidhjet në çift janë lidhje të cilat kanë nevoje për liri personale. Jam dakord që “ku je” tregon interes.

Mund të ketë xhelozi dhe dashuri. Nuk e pranoj sindromën e ngjitjes, duhet të jemi të lirë së bashku. Nëse merr një karakter psikologjik, bëhet një element shkatërrimtar. Në nivele të caktuara, xhelozia shpreh interes. Pra, në kuptimin jo posesiv, jo që është prona jote.

Por nëse përshkallëzohet do të thotë se xhelozia ka marrë karakter psikologjik dhe ka shkuar në çmenduri. Si pasojë vjen dhe prishja e martesës. Institucioni i martesës është në krizë, duhet të ndryshojnë normat mbi të cilat rregullohet jeta në çift.”, tha sociologu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!