Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Niko Peleshi, iu përgjigj akuzave të opozitës, lidhur me korrupsionin dhe vjedhjet që demokratët pretendojnë se janë bërë nga mazhoranca.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Peleshi tha se opozita dhe mazhoranca nuk janë njësoj.
Ai tha se mazhoranca mbështet dhe bashkëpunon me institucionet, ndërsa opozita bën të kundërtën, sipas tij.
“Ne nuk jemi njësoj, sepse ndahemi në disa qëndrime të rëndësishme, së pari në raport me institucionet. Ne jemi për institucionet, ju jeni për feude. Ne jemi për rrugën e vështirë për fitim afatgjatë…Rritje ekonomike nuk mund të ketë pa institucione, ne jemi me institucionet edhe kur ato jo gjithmonë prodhojnë lajme të mira për ne.
Ju SKAP thoni kur doni të mbroni vetën tuaj, dhe SPAK kur keni interesin tuaj. Jeni me dy standarde. Ju nuk e keni problem të përmendni emra njerëzish dhe t’i shpallni fajtorë hajdut kriminel, por ku e gjeni ju të drejtën të bëni prokurorin, gjykatësin dhe larg qoftë e keni bërë ekzekutorin. Ne i besojmë institucioneve, ju doni t’i shpallni vetë kriminelët.
Fjala e plote
Është bërë e zakonshme që në këtë foltore pak ose aspak, ose shumë rrallë flitet për rendin e ditës, për pikën që kemi në diskutim, në këtë rast një marrëveshje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Dhe kjo bëhet me qëllim.
Për mendimin tim ka dy qëllime. Qëllimi i parë është të hedhim mjegull mbi mesazhet që sjell edhe një projektligj apo një marrëveshje, natyrisht në dobi të qytetarëve. Dhe qëllimi i dytë është të na bëni të dukemi të gjithë njësoj.
Tani, para se të shkoj te kjo e dyta, të them dy fjalë për të parën.
Arsyeja sepse këtu është folur për shumë gjëra, por nuk është folur për marrëveshjen deri tani është sepse kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për shqiptarët.
Për një mijë shqiptarë raste neurovaskulare të cilat çdo vit, mes statistikave ndodhin dhe që mund të trajtohen përmes vetëm njërës prej pajisje që blihet falë kësaj marrëveshjeje me financimin e BERZH-it, që është angiografi për QSUT-n.
Kjo ul mortalitetin, siç është ulur 15% në 10 vitet e fundit.
Shumë mjete të tjera, pajisje edhe shërbime do të bëhen të mundura falë kësaj marrëveshjeje. Natyrisht që të flasësh për këtë nuk ke se si të fshehësh, dhe pa dyshim duhet të flasësh për diçka tjetër që të mos dalë ky lajm.
Ky është një lajm shumë i mirë në radhën dhe vazhdën e projekteve, të investimeve që në vite janë bërë në shëndetësi dhe për të cilat ne krenohemi, nuk turpërohemi.
Dhe qëllimi i dytë është qëllimi që të na bëjë të dukemi të gjithë njësoj.
Por ne nuk jemi njësoj. Nuk jemi njësoj sepse ndahemi në disa qëndrime të rëndësishme. Së pari, në raport me institucionet.
Ne jemi për institucione, ju jeni për feude. Ne jemi për rrugën e vështirë me kosto afatshkurtra dhe përfitime afatgjata që janë reformat institucionale dhe shtetbërëse, ndërsa ju jeni për aksione partiake, politike, për pozicionime me shtresat të cilat, për fat të keq, nga një reformë mund të preken. Nxitoni të apeloni dhe të mblidhni mbështetje mbi pakënaqësinë.
Pra nuk keni kurrfarë vizioni dhe kurrfarë strategjie për të ndërtuar.
Ka një libër, quhet Why Nations Fail (Pse Dështojnë Kombet). Por është edhe një tjetër i tre ekonomistëve që fitoi çmimin Nobel këtë vit, i cili ka demonstruar përmes një studimi se rritje ekonomike, ndryshim dhe progres, nuk mund të ketë pa institucione. Kaq thjeshtë është.
Ne i përkasim kësaj qasjeje moderniste, europianiste.
Ne jemi për institucione, jemi për të respektuar institucionet, edhe kur ato, si në rastin e institucioneve të reformës në drejtësi, institucionet e reja të drejtësisë, jo gjithmonë prodhojnë lajme të mira për ne.
Pra, ndërsa ju, një herë quani SPAK, një herë quani SKAP. SPAK kur ju intereson të mbroni veten tuaj dhe SKAP kur ju intereson të kapitalizoni mbi rastet që mund të jenë nga radhët e mazhorancës. Këto janë dy standardet në raport me institucionet që ne na ndajnë.
Kjo është një diferencë shumë e madhe që ne kemi me ju. Ne mundohemi të ndërtojmë mbështetje politike mbi bazën asaj që i bashkon qytetarët, ndërsa ju doni të ndërtoni mbështetje politike mbi bazën e urrejtjes. Ju nxisni një urrejtje në çdo fjalë, në çdo fjalim.
Nga kjo foltore keni si synim të bëni sa më shumë të pa kënaqur, të nxisni sa më shumë ndarje – ndarje të skajshme – ndarje ndërmjet qytetarëve, dhe të kapitalizoni mbi atë ndarje.
Ne ndërtojmë mbi respektin për njeriun, qoftë ai punëtor apo sipërmarrës, ndërsa ju ndërtoni mbi depersonalizimin. Nuk e keni problem të përmendni emra njerëzish – si investitorësh, sipërmarrësish, bashkëkombësish apo të huaj – dhe t’i shpallni fajtorë, hajdutë, kriminelë.
Po ku e gjeni ju të drejtën që të bëni edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe – larg qoftë – siç e keni bërë në vite, edhe ekzekutorin?
Kjo është ajo që na ndan.
Ne ju besojmë institucioneve. Ua lëmë institucioneve punën që u takon atyre, në këtë rast reformës në drejtësi.
Ju doni të bëni gjithçka vetë. Doni t’i shpallni vetë hajdutët, kriminelët, banditët dhe – larg qoftë, siç thashë – edhe t’i ekzekutoni.
Ne ndahemi edhe në raport me territorin. Trashëguam nga ju një Shqipëri, mbi trupin e së cilës kishte 450,000 ndërtime pa leje që inkurajoheshin çdo ditë nga ju, si energjia e qytetërimit. Dhe zaptimi u kthye në një moral – një moral i ri i shoqërisë.
Ndërsa ne jemi për një Shqipëri të pastër, të bukur, të urbanizuar, të rregullt. Sot Shqipëria nuk bën lajm për keq. Sot Shqipëria bën lajm për mirë në gjithë botën.
Ndaj edhe në gazeta, revista, ndërkombëtare, portale, Shqipëria sot është bërë një vend për t’u vizituar, për të investuar. Nuk është rastësi.
Asgjë nuk është rastësi që në Shqipëri ka miliona turistë. Nuk është rastësi që buxheti është trefishuar në 10 vitet e fundit. Nuk është rastësi që ekonomia shqiptare është dyfish më e madhe se në vitin 2013.
Këto janë rezultatet e këtyre qasjeve që ju mund t’ju duken si akademike, por në fakt janë politike.
Ndarja jonë është politike.
Luga juaj nuk mund të çonte dot një Shqipëri dyfish më të madhe ekonomikisht. Luga juaj nuk mund të çonte dot një buxhet trefish më të madh. Sepse që të shkosh aty, duhet të ndërmarrësh reforma; që të ndërmarrësh reforma, duhet të pranosh kosto në afat të shkurtër dhe përfitime në afat të gjatë.
Në 2013, vetëm 54% e popullsisë kishte qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore. Sot, 93%.
Në 2013, buxheti për shëndetësinë ishte 36.4 miliardë lekë; sot është 80 miliardë lekë. Ju flisni për 8.2 miliardë euro buxhet që po shpërndahet dhe harroni se si u krijua ky buxhet 8.2 miliardë? Sepse ne nuk trashëguam një buxhet 8.2 miliardë; trashëguam një buxhet tre herë më të vogël dhe 750 milionë euro borxh.
Në vitin 2013, 80% e pajisjeve shëndetësore dhe mjekësore në shëndetësi ishin të amortizuara; ishin shkaku i mijëra infeksioneve dhe sëmundjeve të njerëzve që shkonin për t’u shëruar dhe dilnin të sëmurë nga spitali.
Sot, 70% e tyre janë pajisje të reja. 20 miliardë lekë janë investuar në këto vite.
Kjo është e vërteta. Ju e keni kthyer check-up-in dhe sterilizimin si dy fjalë me konotacion negativ. E kundërta është e vërtetë: check-up-i ka siguruar kontrolle falas për 1.5 milionë shqiptarë dhe sterilizimi ka mundësuar uljen drastike – me 10-fish – të infeksioneve në spitale. Kjo është e vërteta.
Pastaj, gërmimet për procedura për të gjetur fajtorin, për ta çuar para gjykatës, për t’i bërë gjyqin e kështu me radhë, kjo nuk është detyra juaj. Dhe kjo nuk është një akuzë. Sot është një gjë shumë e rëndë që thuhet në këtë sallë. U tha që ne synojmë ta kthejmë këtë sallë në një gjyq publik.
Pra, ju e thoni me zë dhe figurë. E thoni me zë të lartë. E thoni me zë të lartë se synoni që të bëni një gjyq publik për shqiptarët dhe të na ktheni në kohën e persekutimeve politike dhe e keni kthyer në avantazh faktin që mund të thoni fjalën e fundit për këdo që ju del përpara.
I thashë këto fjalë për të treguar, dhe janë vetëm një pjesë e asaj që na ndan.
Jemi dy qasje të ndryshme politike.
Jemi dy sisteme vlerash të ndryshme.
Lajmi i keq për ju dhe i mirë për ne është se këtë shqiptarët e kuptojnë.
Ka që thjeshtë është, prandaj Partia Socialiste fiton dhe do të fitojë përsëri.