“Jeni kandidatura e duhur për institucionin e Presidencës”, Rama pret Begajn në zyrë, gjenerali i jep një premtim

schedule20:56 - 3 Qershor, 2022

schedule 20:56 - 3 Qershor, 2022

Kryeministri Rama ka zbardhur takimin me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, të cilin e propozuan për President.

Duke e quajtur President, edhe pse ende nuk ka marr╒ zyrtarisht detyrën, Rama e ka mirëpritur në zyrë.  Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh i bindur se Begaj i përmbush të gjitha cilësitë që ata kërkonin në figurën e Presidentit. Nga ana tjetër, zoti Begaj i premtoi se do të përpiqet të jetë në lartësinë e postit që do të mbajë nëse do të votohet ditën e nesërme në Parlament.

Rama: Hajde zoti President, mirëserdhe.

Begaj: Faleminderit. Faleminderit zoti kryeministër.

Rama: Ky sistem që kemi kështu është. Është e pamundur  të ndërtohet një proces ku njerëzit mund të njihen përpara me mundësinë për tu zgjedhur edhe mund të…kështu që sot kemi pasur një diskutim në kryesi shumë të gjatë. Një nga diskutimet më të mira që mbaj mend unë dhe në fund kemi rënë dakord që ju jeni natyra e duhur për ta normalizuar dhe për ta ricivilizuar zyrën e institucionit të Presidentit të Republikës. Ju falenderoj që juve nuk shfaqët refuzim për pranim dhe do të jetë nder për ne që t’ju japim votën edhe që të zgjidheni zyrtarisht President I Republikës.

Begaj: Është vlerësim shumë i madh të jesh President i një vendi. Do të përpiqem të jem gjithmonë ai personi i duhur për atë çfarë përfaqëson ky post. Do të jem në lartësinë e detyrës dhe i përgjegjshëm në kryerjen e saj.  Vij nga ushtria dhe nga mjekësia, janë  të dyja profesione shumë të mira, shumë të përkushtuar kështu që besoj se edhe detyrën, nëse nesër do të votohem, do të jem I lumtur ta kryej me nder.

Rama: Ne kemi bindjen që ju do të jeni në lartësinë e detyrës sepse unë kam pasur mundësinë ta çmoj edhe punën që keni bërë si Shef i Shtabit, por me thënë të drejtën të gjithë ata që  morën fjalën folën me respekt, folën me bindje që ju do të mund të bëni gjënë e duhur në atë detyrë. Unë uroj që të keni deri në fund besnikërinë që karakterizon ndaj shtetit, atë respekt që ju karakterizon ligjin dhe atë forcë të madhe humanizmi që karakterizon gjithë forcat e armatosura, cilësi këto që janë mëse të mjaftueshme për të besuar që ju do ta merrni shpejt përmasën e detyrës dhe do ta mishëroni atë simbolikë të unitetit kombëtar që është edhe ADN-ja e vetë forcave të armatosura.

Begaj: Për ushtarakun, nderi, detyrat dhe Atdheu janë moto e punës. Besoj se do t’i përmbush me sukses dhe do të jem 27/7 në shërbim të kësaj motoje. Falemidnerit.

Në orën 10:00 të ditës së nesërme, deputetët do të japin firmën e tyre dhe në orën 12:00 do ta çojnë kandidaturën zyrtarisht në Kuvend. Në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve i cili do të verifikojë nëse kandidatura i përmbush kushtet./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!