Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shkuar në spitalin e Traumës për të vizituar të lënduarit nga aksidenti i ndodhur sot në Tiranë, ku autobusi i linjës “Go Green” ra në lanë pasi u përplas me një makinë tip Benz.
Të lënduarit thanë se janë tronditur. “Jemi tronditur”, tha një qytetare e lënduar. Ministrja tha se kanë shpëtuar për mrekulli, duke pasur parasysh se si makina ashtu dhe autobusi plot me njerëz, pas aksidentit kanë përfunduar në mes të lanës. Nga spitali ministrja shtoi se gjendja e të lënduarve është e mirë dhe se që në ndihma ndaj të tyre është dhënë në kohë reale.
“Keni shpëtuar për mrekulli, ka qenë realisht një mrekulli. Falë zotit keni shpëtuar. Me dëmtime të lehta të rekuperueshme thonë mjekët. Unë qëllova aty. Ishin dy çuna të lagjes që ju kanë nxjerrë. Ambulanca ka ardhur në kohë. I kemi nxjerrë në kohë reale. Direkt ka ardhur ambulanca”, tha ministrja mes të tjerash gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.
Në spital ndodheshin edhe shoferi i autobusit Muhamet Kyçyku, faturino, i fashuar në kokë, si dhe Jurgen Rama, drejtuesi i Benzit. Aksidenti i frikshëm ka ndodhur në afërsi të kinema Agimit, ku autobusi i linjës së Unazës, i mbushur me pasagjerë, u përplas me Benzin duke përfunduar më pas të dy në Lumin Lanë. Si pasojë kanë mbetur të lënduar 5 qytetarë të cilët janë në spitalin e Traumës ku sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë mbi të lënduarit
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).
/abcnews.al