Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë në Selinë Blu. Ndërsa komunikoi propozimet e bëra në mbledhjen e sotme, Basha paralajmëroi gjithashtu për komunikimin e disa vendimeve të tij ditën e nesërme.
Siç u shpreh kryedemokrati, ditën e nesërme kur do të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar i partisë, ai do të njoftojë vendime të tij sa i takon “disa funksioneve të tjera të shpërdoruara që kanë të bëjnë me drejtimin politik dhe parlamentar të partisë.”
Po ashtu, Basha ka bërë të qartë se të gjitha institucionet e PD-së duke nisur nga Këshilli Kombëtar deri tek kryetari vijojnë të jenë në krye të detyrës.
“Nesër, me atributet e mia si kryetar i Partisë Demokratike do t’i njoftoj Këshillit Kombëtar të PD edhe vendimet e mia sa i takon disa funksioneve të tjera të shpërdoruara në këtë proces që kanë të bëjnë me drejtimin politik të partisë dhe drejtimin parlamentar të partisë.
Siguroj sot, të gjithë demokratët se institucionet e Partisë Demokratike duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të detyrës në përmbushje të përgjegjësive statutore në shërbim të demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve,” deklaroi Basha.
Kujtojmë se Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha në “Air Albania” ka votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit. Nga 4,934 delegatë që ishin të pranishëm në nisje të punimeve të Kuvendit, në votim kanë marrë pjesë 4491 delegatë dhe 4446 prej tyre kanë votuar pro shkarkimit të Bashës. 9 vota kanë qenë të pavlefshme.
Po ashtu, delegatët e Kuvendit të sotëm kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve, Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.
Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisë. /abcnews.al/