Jelekët e verdhë do të kenë listën e tyre në zgjedhjet e ardhshme europiane

schedule11:46 - 24 Janar, 2019

schedule 11:46 - 24 Janar, 2019

Jelekët e verdhë kanë hyrë zyrtarisht në garën për të qenë pjesë e Parlamentit të Strasburgut, duke prezantuar listën e tyre për zgjedhjet parlamentare të muajit maj. Në listë janë më shumë se 80 kandidatë.

Tashmë është zyrtare, një nga degët e jelekëve të verdhë të cilët prej më shumë se dy muajsh protestojnë në Francë kundër politikave të presidentit Emanuel Makron, kanë dorëzuar zyrtarisht një listë për zgjedhjet europiane të muajit maj të këtij viti. Në krye të listës do të jetë Ingrid Levavasër, infermierja 31 vjeçare, e cila që prej fillimit ka qenë një nga figurat më të moderuara dhe luftarake të lëvizjes. Në deklaratën për mediat shkruhet ndër të tjera se Lëvizja Sociale e qytetarëve që lindi në 17 nëntor 2018 nxorri në pah domosdoshmërinë për të transformuar zemërimin në një projekt politik njerëzor, të aftë për t’i kthyer përgjigje francezëve që mbështesin lëvizjen prej muajsh. Sipas mediave franceze janë rreth 80 kandidatët që janë pjesë e listës.

Për sa i përket programit, ai është ende në fazën e krijimit, dhe infermierja që kryeson listën pranoi se kishte votuar pro zgjedhjes së Makson si president i vendit. Në një intervistë për mediat italiane ajo u shpreh se e shihte pozitivisht ftesën e Lëvizjes me Pesë Yje për bashkëpunim. Por ajo theksoi se Lëvizja me Pesë Yje nuk duhej të bënte deklarata raciste apo homophobe, nëse e dëshironte vërtet këtë bashkëpunim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!