Jelekë antiplumb si të policisë, në cilin krim u përdorën? Reagon SPAK

schedule14:01 - 19 Maj, 2022

schedule 14:01 - 19 Maj, 2022

Mes sendeve që SPAK ka sekuestruar në aksionin për “Golden bullet”,  goditjen e grupeve kriminale, janë edhe dy jelekë antiplumb, që sipas Drejtorit Gledis Nano, janë antiplumb si ato që përdor policia e shtetit. Kujtojmë se këto jelekë janë përdorur shpesh nga kriminelët për të kryer eliminimet fizike të kundërshtarëve.

Kreu i SPAK Arben Kraja ka folur dhe për rolin e efektivit të policisë të arrestuar sot, Leonard Palushi.

 

Ai tha se personi është pjesë e strukturave të policisë. “Urdhër arresti është për veprën penale shpërdorim i detyrës. Detaje të tjera nuk mund të jepen sepse është pjesë e hetimit”, tha ai.

I pyetur për dyshimet për dekonspirim të operacionit, ai tha se nuk ka asnjë dyshim, por se duke qenë një numër i madh personash kërkonte kohën e duhur.

“Nuk kemi asnjë dyshim për dekonspirim, por procedurat janë të tilla që kërkojnë kohën e duhur sepse janë një numër i madh personash për të cilët kishte masa arresti”, deklaroi Kraja.

Sa i përket personave të arrestuar tashmë për vepra të tjera penale, kreu i SPAK tha se janë në procese të tjera. Për ata që nuk janë kapur ende ai deklaroi se operacioni vijon dhe s’mund të jepen detaje. Kraja theksoi vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund.

“Janë disa që janë në masë sigurie. Janë në procese të tjera. Për sa i përket personave që nuk janë kapur ende nuk mund të jap emra. Jemi të vendosur të shkojmë deri në fund, pavarësisht se është i fortë apo nuk është i fortë, ka mbështetje apo nuk ka mbështetje”, deklaroi Kraja.
Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, u organizuan operacionet për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.

Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuarmë parë, për vepra të ndryshme penale.

 

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.  Operacioni është në vijim.

Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!