Superiorja është bërë interesante, teksa në renditje ekipet janë të ngjeshura dhe duhet të përballojnë edhe ngjeshjen e kalendarit. Këtë mesjavë nuk ka ndeshje, por në vijim nuk do të ketë më kohë për pushim.
Të premten luhet përballja e parë, derbi i kryeqytetit. Prej orës 18:00, në stadiumin “Air Albania” zbresin në fushë Tirana dhe Partizanit. Pa tifozë, por me shumë motivim, të dyja ekipet do kërkojnë të marrin maksimumin e pikëve. Moralisht të kuqtë janë më lart, pasi renditen në vendin e parë, kurse Tirana është ende në kërkim të fitores.
Të shtunën më pas luhet pjesa tjetër e ndeshjeve. Gjithçka nis nga ora 13:45, teksa në Shkodër Vllaznia do kërkojë autokritikën kundër Bylisit, kurse në Korçë të njëjtën gjë do të mundohet të bëjë edhe Skënderbeu ndaj Laçit që dje mori fitoren e parë përballë Apolonisë.
Fierakët luajnë tre orë më pas, në transfertë sërish. Këtë herë përballen me Kukësin, në një tjetër ndeshje të vështirë. Kjo sfidë luhet në “Elbasan Arena”. Edhe në Durrës luhet një takim interesant dhe Teuta do tentojë të thyejë tersin e barazimeve, ndërkohë që përballë do të ketë Kastriotin që nuk njeh humbje në pesë javët e para të kampionatit.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 6
E premte, më 4 dhjetor
Ora 18:00 | Tirana-Partizani
E shtunë, më 5 dhjetor
Ora 13:45 | Vllaznia-Bylis
Ora 13:45 | Skënderbeu-Laçi
Ora 16:45 | Teuta-Kastrioti
Ora 16:45 | Kukësi-Apolonia