Java “bio” e Superiores/ Nga Bardhi, te Vila e Xhixha: Ja pesë arsyet

schedule08:12 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 08:12 - 21 Dhjetor, 2020

Quajeni java “bio” e Superiores dhe arsyet nuk janë pak, por pesë. Vendosën ata që janë rritur dhe formuar si lojtarë në fushat sportive të vendit tonë, shpesh herë mes baltës, ndonjëherë duke provuar të lahen në ujë të ftohtë, ose edhe në shtëpitë e tyre.

U ka ndodhur të ndërrohen direkt në fushë para ndeshjeve, të njëjtën gjë ndonjëri mund ta ketë bërë edhe para seancave stërvitore. Pasioni për futbollin i ka mposhtur të gjitha dhe sot ata janë futbollistë profesionistë dhe kanë provuar të luajnë edhe me kombëtaret e moshave. 5 “arsyet” pse ishte java “bio” i renditim më poshtë:

 

PATRIK BARDHI – Sulmuesi anësor shënoi një gol të bukur kundër Kukësit dhe i dha fitoren Kastriotit, skuadër me të cilën luan sezonin e tretë. Bardhi është produkt i moshave të Tiranës dhe për herë të parë si profesionist ka luajtur pikërisht me bardheblutë, në Kategorinë e Parë. Te Kastrioti është titullar i padiskutueshëm.

 

LORENCO VILA – Durrsaku ndjek traditën familjare dhe është një nga elementët më të talentuar te Teuta. Të shtunën shënoi dhe i dha fitoren “Djemve të detit” në transfertë kundër Apolonisë. Pjesë e Shqipërisë U21, sulmuesi anësor i ka hedhur të gjitha hapat te Teuta, duke luajtur me të gjitha moshat dhe tani po spikat edhe me ekipin e parë në Kategorinë Superiore.

 

UERDI MARA – Në qytete të ndryshme pyesin, po ky nga doli? Mesfushori në Korçë me moshat ka qenë nga më të talentuarit dhe ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Skënderbeu i ofroi një kontratë dhe vetëm sivjet po luan rregullisht dhe po tregon vlerat. Eurogol kundër Laçit, teksa ndëshkoi edhe Tiranën. Debutimi me Skënderbeun? Që kur ishte 16 vjeç.

 

IDRIZ BATHA – Tani është një “veteran” dhe kapiten i Tiranës, pas një sezoni ku ishte lider në fitimin e titullit kampion. Mesfushori, që edhe golin e ka kthyer në “ves”, ndëshkoi Skënderbeun. Produkt i Tiranës, madje me shirit në krah që kur ishte adoleshent, por i rritur si profesionist më pas në klube të tjera, si Partizani, Besa, Teuta e Flamurtari, para se të rikthehej në shtëpi.

 

REDON XHIXHA – Titullar te Laçi dhe lojtar i rëndësishëm, sikurse edhe dy ditë më parë kur ndëshkoi Vllazninë kryesuese dhe i dha fitoren skuadrës së tij. Xhixha, pjesë e Shqipërisë U21, është një produkt i futbollit tonë. Fillimisht me 15-vjeçarët e Laçit dhe më pas te Shkëndija e Tiranës, ku spikati me golat dhe qyteti i vendlindjes e priste dhe ia dha mundësinë të luante si profesionist. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!