Janë gjetur pas tre ditësh kërkime dy trupa të pajetë në Malësinë e Madhe.
Dyshohet se trupat e pajetë i përkasin Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt, të cilët janë shpallur të zhdukur që prej 3 tetorit bashkë me Daniel Pepajn.
Mësohet se trupat janë gjetur në afërsi të zonës së Rrencit, ku janë dëgjuar edhe krismat e armëve ditën që janë zhdukur të rinjtë.
Lexo edhe: Danielin e rrahën për drogën e vjedhur, ai ekzekutoi: Çfarë zbuloi policia në Malësinë e Madhe
Zbulimi i është bërë falë kërkimeve në terren nga banorë të zonës, policia e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.
Trupat e pajetë të dy të rinjve janë dërguar në morgun e qytetit, dhe pritet t’i nënshtrohen ekspertizës mjeko-ligjore e cila do të saktësojë mënyrën dhe armën që është përdorur në ekzekutimin e tyre.
Duke u bazuar në dëshmitë e banorëve të zonës dhe të dhënave të tjera, policia dyshon se autor i ngjarjes është Daniel Pepaj, i cili rezulton ende i zhdukur.
Dyshohet se të rinjtë janë konfliktuar për çështje që lidhen me kultivimin e kanabisit në zonë.
Lexo edhe: Zhdukja e tre kushërinjve në Malësinë e Madhe, Hoxha: Ngjarja për parcelat e kanabisin
Mendohet se Daniel Pepaj ka kaluar kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, ndoshta i ndihmuar nga një bashkëpunëtor tjetër.
Akuza ndaj tij, që prej ditës se denoncimit, ka ardhur nga prindërit e Klementit, të cilët janë shprehur në abcnews.al se Danieli kishte dorë në zhdukjen e Vilsonit dhe Klementit.
Zanafilla e ngjarjes dyshohet se ka të bëjë me grabitjen e parcelës së kanabisit të Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt.
Për këtë ngjarje ata kanë akuzuar Danjel Pepajn.
Pas kësaj dyshohet se të tre ata janë drejtuar më këmbë drejt fshatit Zagore.
Gjatë rrugës, në rrethana jo krejt të qarta, dyshohet se Danjel Pepaj ka marrë një armë të fshehur dhe ka qëlluar Vilsonin dhe Klementin.
Ngjarja e rëndë u njoftua fillimisht nga gazetari investigativ Artan Hoxha, i cili raportoi se policia nuk po tregohej transparente në rastin e të rinjve të zhdukur në Malësinë e Madhe. /abcnews.al